Heqja e dinarit dhe mbyllja e institucioneve serbe në Kosovë, SHBA-BE: Të shqetësuar, veprimet rrisin tensionet etnike
SHBA dhe BE, dy partnerët kryesorë ndërkombëtar të Kosovës, i shohin me shqetësim të madh veprimet e fundit të qeverisë për heqjen e dinarit si dhe mbylljen e disa institucioneve që financohen nga Serbia në Kosovës. Në deklaratat e tyre si SHBA dhe BE theksojnë se këto veprime janë të nxituara dhe se do të rrisin tensionet etnike ne Kosovë.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier u shpreh se këto veprime kanë efekt negativ ndaj komunitetit serbë në Kosovë dhe kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë. Këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë i kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ato përfshijnë operacionet e kryera nga Policia e Kosovës në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë javës së kaluar në zyrat e institucioneve të administruara nga Serbia në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë si dhe një OJQ “Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë”. Jemi të shqetësuar edhe nga veprimet e Policisë së Kosovës sot për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë menduar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë”, shkruan ambasadori i SHBA në Kosovë.
Ambasadori Hovenier thekson se këto çështje duhen trajtuar përmes dialogut Serbi-Kosovë, ndërsa shton se Kosova duhet të shtyjë vendimin e saj për heqjen e dinarit serb derisa komuniteti serb të jetë i informuar për një tranzicion më të ehtë.
“Është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës të promovojë vizionin e përcaktuar në themelimin e saj dhe të sanksionuar në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e saj: një nga një demokraci plotësisht multietnike që i përgjigjet shqetësimeve të të gjithë qytetarëve të saj. Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne gjithashtu ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova të shtyjë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të gatshme derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre”, tha Hovenier.
Edhe BE i shikon me shqetësim të madh operacionet e Policisë së Kosovës në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se Kosova duhet të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut.
“Bashkimi Evropian vuri në dukje me shqetësim të madh operacionet e Policisë Speciale të kësaj jave në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë dhe objektet e organizatës joqeveritare “Qendra për Paqe dhe Toleranca në Prishtinë”. Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komuniteteve serbe të Kosovës, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment. Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit së komunave me shumicë serbe. Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagimin e BE.
Autoritetet kosovare mbyllën katër komuna paralele serbe, në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë gjatë javëve të fundit duke thënë se “institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”.
Këto institucione financohen nga Serbia dhe shërbejnë për komunitetin serb në Kosovë, ndërsa sipas ligjeve në Kosovë, këto institucione janë ilegale. Gjithashtu më 1 shkurt Banka Qendrore e Kosovës vendosi të hyjë në fuqi ndalimi i dinarit serb për pagesat që bëheshin për komunitetin serb në Kosovë.