Heqja e dinarit serb, Rama: Kosova të koordinohet me aleatët, por ka të drejtën të zbatojë Kushtetutën
Kryeministri Edi Rama ka theksuar se Kosova ka të drejtën e saj të pamohueshme që të zbatojë Kushtetutën dhe të zbatojë ligjet e saj në të gjithë territorin e republikës. Pas kritikave që SHBA dhe BE i bënë Kosovës që të mos nxitojë me vendimin për heqjen e dinarit serb, Rama tha se këto vendim duhen të merren në koordinim me aleatët, por pas tensioneve në Banjskës duhet ruajtur ekuilibri që të mos ketë përsëritje të tilla.
“Ndërsa të gjithë jemi dakord që qeveria e Kosovës duhet të angazhohet, të koordinohet dhe të punojë më ngushtë me aleatët e saj kryesorë, le të mos e harrojmë gjithashtu të drejtën e pamohueshme të Kosovës për të zbatuar kushtetutën e saj. Pas Banjskës, është thelbësore të ruani fokusin dhe ndjenjën e ekuilibrit”, shkruan Rama në platformën X.
Më 1 shkurt Banka Qendrore e Kosovës vendosi të hyjë në fuqi ndalimi i dinarit serb për pagesat që bëheshin për komunitetin serb në Kosovë. Gjithashtu autoritetet kosovare mbyllën katër komuna paralele serbe, në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë gjatë javëve të fundit duke thënë se “institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”.
Këto institucione financohen nga Serbia dhe shërbejnë për komunitetin serb në Kosovë, ndërsa sipas ligjeve në Kosovë, këto institucione janë ilegale.
Këto vendime u kritikuan nga SHBA dhe BE duke i cilësuar “të nxituara dhe se do të rrisin tensionet etnike ne Kosovë”.