Heqja e dinarit, Varhelyi: Kosova të sigurojë që tranzicioni të jetë mjaft i gjatë për të gjetur një zgjidhje
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka kërkuar nga Kosova që të sigurojë një periudhë të gjatë tranzicioni në lidhje me zbatimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, në mënyrë që të gjendet zgjidhja në kuadër të dialogut. Në një postim në X (dikur Twitter), Varhelyi shkruan se Komisioni Europian është i shqetësuar lidhur me ndikimin që do të ketë ky vendim në shkolla dhe spitale.
“Komisioni është veçanërisht i shqetësuar për ndikimin në shkolla dhe spitale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment. Komisioni mbështet deklaratën e lëshuar sot nga Përfaqësuesi i Lartë përmes zëdhënësit të tij dhe më tej merr parasysh vendimin e Bankës Qendrore për lejimin e një periudhe tranzicioni. Komisioni i bën thirrje Kosovës që të sigurojë që kjo periudhë tranzicioni të jetë mjaft e gjatë për të gjetur një zgjidhje të negociuar brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në postim.
Po ashtu, Varhelyi thekson se Kosova do të duhej të ishte konsultuar paraprakisht në lidhje me një vendim të tillë, për shkak të ndikimit të gjerë që ka.
“Komisioni shpreh keqardhje që ky vendim është miratuar pa konsultim paraprak duke pasur parasysh ndikimin që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera në mbarë Kosovën”, shkruan ai.
Vendimi që hyri në fuqi me 1 shkurt nënkupton heqjen nga përdorimi të dinarit të Serbisë, që ende përdoret në zonat e banuara me shumicë serbe posaçërisht në veriun e Kosovës.
Ky vendim nuk ka marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve. SHBA dhe BE kanë kërkuar një periudhë tranzitore më të gjatë për zbatimin e tij. Kryeministri Albin Kurti është përgjigjur se “kushtetutshmëria, ligjshmëria dhe vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët”.