Heqja e imunitetit të deputetëve, Berisha: Rama të jetë burrë, të ketë guxim politik
Ish-kryeministri Sali Berisha sqaroi të premten edhe një herë pozicionin përballë akuzës së ngritur nga Struktura Antikorrupsion, duke përsëritur se prokuroria nuk ka prova kundër tij.
Deputeti demokrat e konsideroi “antikushtetuese” dhe “të kontrolluar politikisht” të gjithë procedurën e ndjekur ndaj tij dhe dhëndrit Arbër Malltezi për çështjet e kompleksit “Partizani”.
“Profesor Abi Malltezit, pa provuar pas tri vitesh asnjë shkelje ligjore në mënyrë absolute, i vendosin sekuestro brenda orës, për të gjitha pronat e tij. Vrasësit Pëllumb Gjoka, mikut të ngushtë të skapistëve kriminelë, u detyruan t’i vendosin sekuestron megjithëse duhet të dini një gjë, regjistrimet e bisedave dhe mesazheve në EncroChat dhe SKY, gjykata franceze i ka pranuar si prova të mirëfillta krimi. Megjithëse janë dorëzuar, kanë kaluar 2 ose 3 muaj dhe vetëm dje u kujtuan se ky problem ekziston. Merrni vesh ju se çfarë organizate është SKAP-i,” tha z. Berisha.
Në konferencën e përjavshme me gazetarët, kryetari i PD-së së Rithemeluar sfidoi kryeministrin Edi Rama që të miratojë propozimin e tij për të zhveshur të gjithë ligjvënësit nga imuniteti.
“Prandaj, e ftoj edhe njëherë Edi Ramën të ketë guxim të vijë të votojë amendamentin që heq çdo mbrojtje nga deputetët shqiptarë dhe fshin menjëherë çdo dallim në Kushtetutën e vendit mes të pushtetshmëve dhe qytetarëve të tjerë.
E di që disa deputetë socialistë mund të mos e votojnë, por deputetët e opozitës do ta mbështesin njëzëri, nëse do të mbërrijë ky amendament në Kuvendin e Shqipërisë. Unë nuk mund dhe nuk do të lejoj një gjyqtar mercenar të rishkruajë Kushtetutën në tavolinë. Ne jemi Republikë parlamentare, jo kryeministrore as edhe gjyqësore.
Tani e ftoj edhe një herë publikisht zotin Rama të jetë burrë, të ketë guximin politik dhe të votojë amendamentin që propozova në vitin 2012. Tani ai është në pushtet dhe Sali Berisha nuk mund të arrestojë askënd. Marrja e rrugës putiniste dhe përdorimi i mercenarëve, të cilët marrin përsipër të rishkruajnë Kushtetutën kur dhe si duan, për të kënaqur grykësinë politike të kryeministrit, është një atentat kundër shtetit ligjor,” deklaroi z. Berisha.
Ai shprehu se po t’i kërkohet “nuk do të hezitojë të paraqitet për t’iu përgjigjur Prokurorisë apo Gjykatës. Unë jam i prirë të shkoj. Dhe thashë edhe njëherë nuk kam asnjë vetëkufizim.“