Hetimet për korrupsion ndaj bashkëshortes, kryeministri spanjoll paralajmëron dorëheqjen
Kryeministri i Spanjës Pedro Sançez (Sanchez) ka anuluar detyrat publike përgjatë javës, pasi mendon të dorëhiqet.
Arsyeja lidhet me hetimin për mashtrim dhe korrupsion që gjykatë ka nisur ndaj bashkëshortes së Kryeministrit, Begona Gomez.
Pedro Sançez, i cili ka udhëhequr Spanjën që nga viti 2018, tha se “serioziteti i sulmeve” që ai dhe gruaja e tij po përjetonin, e kishin bërë atë të rivlerësonte pozicionin e tij, duke shtuar se ai do të zbulojë vendimin e tij të hënën.
Njoftimi i të mërkurës (24 prill), i paraqitur në një letër të postuar nga Sançez në X, erdhi disa orë pasi një gjykatë e Madridit hapi një hetim paraprak mbi çështjet e biznesit të Gomez pas një ankese të bërë nga Manos Limpias (Duart e Pastra), një grup presioni, udhëheqësi i të cilit ka lidhje me ekstremin e djathtë.
Në letrën e tij, Sançez tha se ankesa e Manos Limpias bazohej në “raportimet e supozuara” nga faqet e lajmeve, prirjet politike të të cilave ai i përshkroi si “të krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë”, duke shtuar se:
“Siç është e logjikshme, Begona do të mbrojë nderin e saj dhe do të bashkëpunojë. me sistemin e drejtësisë aq sa është e nevojshme për të zbardhur faktet që janë sa skandaloze në dukje aq edhe inekzistente.”
Sançez akuzoi kundërshtarët e tij politikë, kryesisht liderin e partisë konservatore Popullore (PP) dhe udhëheqësin e partisë së ekstremit të djathtë Vox, se kanë nisur një “operacion të pabazë ngacmimi nga toka, ajri dhe deti” në një përpjekje për të sjellë “kolapsin e tij personal dhe politik duke sulmuar gruan”.
Megjithatë, kryeministri tha se zhvillimet e fundit e kanë detyruar atë të mendojë.
“Tani që kemi arritur në këtë pikë, pyetja që në mënyrë mjaft legjitime i bëj vetes është, ‘a ia vlen të gjitha?’ Sinqerisht nuk e di. Më duhet të ndalem dhe të mendoj për këtë… Të gjitha këto më bëjnë t’ju them se do të vazhdoj të punoj, por t’i anuloj të gjitha detyrat e mia publike për disa ditë, ndërsa vendos se cilën rrugë të ndjek. Të hënën e ardhshme, më 29 prill, do të dal para mediave për t’ju bërë të ditur vendimin tim”, tha ai.