Hetimi i krimeve zgjedhore, SPAK dhe KQZ: Grupe në terren për monitorim, sistem i unifikuar denoncimesh

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi,

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, zhvilloi sot një takim me Drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, për të diskutuar mbi forcimin e mekanizmave institucionale në funksion të parandalimit dhe ndjekjes së krimeve zgjedhore.

Gjatë takimit, Dumani theksoi se SPAK synon një qasje më proaktive në trajtimin e rasteve me elementë penalë gjatë proceseve zgjedhore. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me KQZ-në dhe nevojën për ngritjen e një Protokolli të Koordinimit Institucional, i cili do të krijojë linja komunikimi të hapura 24/7 mes institucioneve. Në kuadër të këtij protokolli, SPAK do të organizojë struktura të specializuara në nivel qendror dhe lokal, të përbëra nga prokurorë dhe hetues, të cilat do të punojnë në sinkron me përfaqësuesit e KQZ-së në çdo nivel.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte përfshirja më e gjerë e institucioneve ligjzbatuese në monitorimin e procesit zgjedhor.

Sipas Dumanit “SPAK, në bashkëpunim me KQZ dhe Prokurorinë e Përgjithshme, do të ketë prani aktive në terren për të monitoruar nga afër situatën tre muaj para zgjedhjeve dhe deri në përfundim të procesit të numërimit. Për këtë qëllim, do të krijohen mekanizma të dedikuar për të garantuar raportime të menjëhershme dhe ndërhyrje të shpejta në rastet kur evidentohen shkelje”.

SPAK kërkoi gjithashtu bashkëpunim në një sistem të unifikuar të denoncimeve, ku shtetasit dhe shoqëria civile apo edhe aktorë të tjerë të mund të raportojnë raste të mundshme të krimeve zgjedhore.

“Të dhënat e mbledhura do të analizohen nga prokurorët dhe hetuesit për të verifikuar vlefshmërinë e pretendimeve dhe për të nisur hetimet në rastet e dyshuara”, tha Dumani.

Në këtë kuadër, Dumani i kërkoi KQZ-së organizimin e trajnimeve të përbashkëta mes prokurorëve të SPAK, hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe ekspertëve të KQZ-së, me fokus në identifikimin e veprave penale në zgjedhje dhe mbledhjen e provave për hetime të plota dhe efikase.

Një tjetër kërkesë e SPAK ishte aksesimi i Ndërfaqes së Raportimit të Aktiviteteve Publike (NIR) të KQZ-së, sistemi që mund të ndihmojë në evidentimin e shkeljeve të mundshme gjatë fushatës dhe administrimit të zgjedhjeve.

Nga ana e tij, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, theksoi se përveç KQZ-së, edhe aktorë të tjerë të përfshirë në zgjedhje janë në mbështetje të krijimit dhe funksionimit të një mekanizmi të përqendruar të koordinimit ndërinstitucional mes KQZ, SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit.

Ai njoftoi gjithashtu ngritjen e Qendrës së Monitorimit të Procesit Zgjedhor pranë KQZ, e cila do të furnizohet 24/7 me informacione nga terreni nëpërmjet përdorimit të teknologjisë dhe burimeve nga komisionerët, monitoruesit dhe përfaqësuesit e autorizuar të KQZ-së në terren. Në këtë qendër do të mund të angazhohen edhe hetues të SPAK për të garantuar një ndjekje të menjëhershme të rasteve me elementë penalë.

Në përfundim të takimit, Celibashi dhe Dumani ranë dakord për finalizimin e Protokollit të Koordinimit mes KQZ, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duke krijuar një mekanizëm të qartë për shkëmbimin e informacionit, ndjekjen e rasteve dhe bashkërendimin e përpjekjeve për të garantuar integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Me këtë marrëveshje, institucionet angazhohen për një bashkëpunim më të ngushtë dhe për veprime konkrete në luftën kundër krimeve zgjedhore, duke siguruar transparencë dhe llogaridhënie në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.