Lajme

Hetimi i krimeve zgjedhore, SPAK dhe KQZ: Grupe në terren për monitorim, sistem i unifikuar denoncimesh

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, zhvilloi sot një takim me Drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, për të diskutuar mbi forcimin e mekanizmave institucionale në funksion të parandalimit dhe ndjekjes së krimeve zgjedhore.

Gjatë takimit, Dumani theksoi se SPAK synon një qasje më proaktive në trajtimin e rasteve me elementë penalë gjatë proceseve zgjedhore. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me KQZ-në dhe nevojën për ngritjen e një Protokolli të Koordinimit Institucional, i cili do të krijojë linja komunikimi të hapura 24/7 mes institucioneve. Në kuadër të këtij protokolli, SPAK do të organizojë struktura të specializuara në nivel qendror dhe lokal, të përbëra nga prokurorë dhe hetues, të cilat do të punojnë në sinkron me përfaqësuesit e KQZ-së në çdo nivel.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte përfshirja më e gjerë e institucioneve ligjzbatuese në monitorimin e procesit zgjedhor.

Sipas Dumanit “SPAK, në bashkëpunim me KQZ dhe Prokurorinë e Përgjithshme, do të ketë prani aktive në terren për të monitoruar nga afër situatën tre muaj para zgjedhjeve dhe deri në përfundim të procesit të numërimit. Për këtë qëllim, do të krijohen mekanizma të dedikuar për të garantuar raportime të menjëhershme dhe ndërhyrje të shpejta në rastet kur evidentohen shkelje”.

SPAK kërkoi gjithashtu bashkëpunim në një sistem të unifikuar të denoncimeve, ku shtetasit dhe shoqëria civile apo edhe aktorë të tjerë të mund të raportojnë raste të mundshme të krimeve zgjedhore.

“Të dhënat e mbledhura do të analizohen nga prokurorët dhe hetuesit për të verifikuar vlefshmërinë e pretendimeve dhe për të nisur hetimet në rastet e dyshuara”, tha Dumani.

Në këtë kuadër, Dumani i kërkoi KQZ-së organizimin e trajnimeve të përbashkëta mes prokurorëve të SPAK, hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe ekspertëve të KQZ-së, me fokus në identifikimin e veprave penale në zgjedhje dhe mbledhjen e provave për hetime të plota dhe efikase.

Një tjetër kërkesë e SPAK ishte aksesimi i Ndërfaqes së Raportimit të Aktiviteteve Publike (NIR) të KQZ-së, sistemi që mund të ndihmojë në evidentimin e shkeljeve të mundshme gjatë fushatës dhe administrimit të zgjedhjeve.

Nga ana e tij, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, theksoi se përveç KQZ-së, edhe aktorë të tjerë të përfshirë në zgjedhje janë në mbështetje të krijimit dhe funksionimit të një mekanizmi të përqendruar të koordinimit ndërinstitucional mes KQZ, SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit.

Ai njoftoi gjithashtu ngritjen e Qendrës së Monitorimit të Procesit Zgjedhor pranë KQZ, e cila do të furnizohet 24/7 me informacione nga terreni nëpërmjet përdorimit të teknologjisë dhe burimeve nga komisionerët, monitoruesit dhe përfaqësuesit e autorizuar të KQZ-së në terren. Në këtë qendër do të mund të angazhohen edhe hetues të SPAK për të garantuar një ndjekje të menjëhershme të rasteve me elementë penalë.

Në përfundim të takimit, Celibashi dhe Dumani ranë dakord për finalizimin e Protokollit të Koordinimit mes KQZ, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duke krijuar një mekanizëm të qartë për shkëmbimin e informacionit, ndjekjen e rasteve dhe bashkërendimin e përpjekjeve për të garantuar integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Me këtë marrëveshje, institucionet angazhohen për një bashkëpunim më të ngushtë dhe për veprime konkrete në luftën kundër krimeve zgjedhore, duke siguruar transparencë dhe llogaridhënie në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

Blerti Delija

Recent Posts

BB i jep Shqipërisë 120 mln USD për forcimin fiskal, zgjerimin e tregut të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka miratuar Programin e Dytë të Politikave për…

7 minutes ago

Shqipëria në tregje ndërkombëtare, pritet të emetohet Eurobondi 600 milionë euro

Qeveria shqiptare ka dalë në tregjet ndërkombëtare për të emetuar një Eurobond me vlerën 600 milionë euro. I…

1 hour ago

Autoriteti i Konkurrencës vendos nën hetim dy kompani të rrjeteve celulare

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur nën hetim paraprak dy nga kompanitë kryesore të rrjeteve celulare…

1 hour ago

Dialogu Kosovë–Serbi, Kallas: Do ta bëjmë më funksional me Sorensenin

Peter Sorensen, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë,…

1 hour ago

Rritet numri i denoncimeve online – iSIGURT.al publikon raportin: Pjesa më e madhe nga TikTok

Gjatë një forumi të organizuar këtë të enjte (13 shkurt) u publikua Raporti Kombëtar i…

1 hour ago

Botërori i Skive në Saalbach/ Kolturi e mbyll në vendin e shtatë, Brinjone e artë

Lara Kolturi ka përfunduar në vendin e shtatë Botërorin e Skive në Saalbach. Skiatoria shqiptare…

2 hours ago

This website uses cookies.