Hetimi i rasteve të dezinformimit, Kuvendi vendos më 3 prill për ngritjen e Komisionit të Posaçëm
Socialistët nuk humbasin më kohe, por përshpejtojnë kërkesat ndaj Parlamentit që të shqyrtojë kërkesën e tyre për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm që do të hetojë rastet e dezinformimit.
Të mërkurën e 3 prillit kjo kërkesë do te shqyrtohet nga Konferenca e kryetarëve, e cila mblidhet edhe për të miratuar kalendarin dhe programin e parafundit të Kuvendit, përpara mbylljes se sesionit në korrik.
Mësohet se po të mërkurën në 3 prill në zyrat e Kryesisë së Kuvendit do të mblidhet edhe Byroja.
Sipas rregullores Byroja e Kuvendit shqyrton dhe vendos informacionin që vjen nga drejtuesi i Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën.
Ky sekretariat mori vendim javën e shkuar që të anulojë votimin e projektligjeve në seancën e datës 7 mars, proces që duhet të certifikohet edhe nga Byroja e Kuvendit.
Kjo strukturë është organi që vendos edhe për buxhetin e Kuvendit, për ankimet në rastet e konstituimit të grupeve parlamentare dhe për ankesat e grupeve parlamentare për përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit.
Kjo është hera e parë për këtë vit që zonja Nikolla thërret Byronë e Kuvendit.