Hetuesit gjermanë dhe SPAK, zbulojnë mashtrimin më të madh në Evropë nga një Call Center në Tiranë
SPAK ka kurorëzuar me sukses një nga operacionet më të mëdha hetimore, i cili u zhvillua paralelisht në disa shtete duke përfshirë Gjermaninë, Kosovën, Serbinë, Bosnje- Hercegovinën, deri dhe Libanin.
Hetimet bënë të mundur zbulimin e një skeme mashtrimi që kapte shifrat e 10 milionë eurove. Truri i gjithë kësaj skeme mashtrimi ishte vendosur në Tiranë dhe kishte në epiqendër qytetarë gjermanë, por edhe nga vende të tjera.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me autoritetet gjermane kanë organizuar një operacion kundër krimeve kompjuterike.”, njofton SPAK.
Si filloi hetimi?
Zbulimi i kësaj skeme mashtrimi që kap shifrat e 10 milionë eurove nisi krejt rastësisht. Hetimi ka filluar në dhjetor 2023, pasi policia gjermane, parandaloi një tentativë mashtrimi me dëm të mundshëm prej mbi 100,000 Euro, përmes një punonjësi të vëmendshëm të bankës.
Autoritetet hetuese nga Baden-Württemberg, kanë zbuluar me sukses atë që është ndoshta mashtrimi më i madh në Evropë në qendrat e thirrjeve.
Nga numrat e telefonit të grupit të strukturuar kriminal, ka rezultuar se skema përfshinte në mbi dhjetë mijë raste të mashtrimit, me dëme në mbi 10 milionë Euro.
“Në kuadër të këtij operacioni, është kryer edhe kontrolli i ambienteve ku dyshohej se kryhej aktiviteti i qendrave të thirrjes, dhe banesës së personit që dyshohet si drejtues i këtij aktiviteti në Tiranë. Si rezultat i këtij operacioni ndërkombëtar, dhe kontrolleve u arrit të sekuestrohen: 6 njësi kompjuterike Laptop; 1 njësi kompjuterike PC; 11 aparate telefoni celularë; 2 monitorë kompjuteri; 1 USB; 1 pajisje monitorimi kamera sigurie; 10 110 Euro; 3 Automjete; 2 ora të markës “Ademars Piguet”; dokumente të ndryshme me të dhëna të viktimave dhe të funksionimit të këtij aktiviteti të kundërligjshëm; sasi lënde narkotike.”, njofton SPAK-u.
Operacioni
Muaj më parë ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale dhe Bashkëpunimin Ndërgjyqësor, i dha rrugë kërkesës për ndihmë juridike, të autoriteteve gjyqësore gjermane, konkretisht Prokurorisë Publike të Karlsruhes.
Mbi bazën e kërkesës për ndihme juridike, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar në shkurt 2024, procedimin penal për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
“Pas regjistrimit të procedimit penal, nga veprimet hetimore të kryera me metoda speciale të hetimit, u idenfikuan dy adresat e qendrës së thirrjeve dhe banesës së personit që dyshohet si drejtues i këtij aktiviteti E.S., si pjesë e një rrjeti të qendrave të thirrjeve në katër shtete në Ballkan dhe Liban.”, njoftoi SPAK.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, në prill 2024, është kryer kontrolli i ambienteve ku dyshohej se kryhej aktiviteti i qendrave të thirrjes, dhe banesës së personit që dyshohet si drejtues i këtij aktiviteti në Tiranë.
Si rezultat i këtij operacioni ndërkombëtar, dhe kontrolleve u arrit të sekuestrohen: 6 njësi kompjuterike Laptop; 1 njësi kompjuterike PC; 11 aparate telefoni celularë; 2 monitorë kompjuteri; 1 USB; 1 pajisje monitorimi kamera sigurie; 10 110 Euro; 3 Automjete; 2 ora të markës “Ademars Piguet”; dokumente të ndryshme me të dhëna të viktimave dhe të funksionimit të këtij aktiviteti të kundërligjshëm; sasi lënde narkotike.
“Lidhur me personat e përfshirë në këtë veprimtari kriminale, po bëhet një analizë e hollësishme e të dhënave hetimore, me qëllim dokumentimin e përfshirjes së tyre në këtë aktivitet.”, thuhet në njoftim.