Hezbollahu lëshon dhjetëra raketa në veri të Izraelit
Lëvizja pro iraniane e Hezbollahut lëshoi dhjetëra raketa tip ”Katyusha” në Izraelin verior.
Ushtria izraelite konfirmoi se kishte regjistruar rreth 50 raketa të lëshuara nga Libani.
Nga përplasja nuk ka pasur të lënduar, bëhet e ditur në njoftim.
Në një deklaratë të martën, Hezbollahu tha se “në përgjigje të një sulmi izraelit gjatë natës në Hermal, Libani lindor, luftëtarët granatuan selinë e regjimentit të artilerisë dhe brigadës së blinduar të Divizionit 210 Golan në kazermat Yardun me dhjetëra raketa ”Katiusha”.
”Sulmi izraelit në një zonë në kufirin me Sirinë la pesë persona të vdekur”, theksoi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Një burim libanez i sigurisë tha se dy komandantë të Hezbollahut ishin mes viktimave.
Që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës tetë muaj më parë, përplasjet ushtarake midis ushtrisë izraelite dhe milicive të Hezbollahut dhe grupeve të tjera kanë ndodhur çdo ditë në zonën kufitare midis Izraelit dhe Libanit.
Ka pasur të vdekur nga të dyja palët.
Bombardimet e ndërsjella shkaktuan shkatërrime të rënda në qytetet në të dy anët e kufirit.
Rreth 150 000 njerëz janë evakuuar ose janë larguar nga zona e luftimeve.
Kohët e fundit situata është përkeqësuar më tej dhe ka frikë për një konflikt më të gjerë ushtarak në rajon nëse konflikti Izrael-Hamas vazhdon.