Hidroponia – Bimët që mbillen në ujë, do të jenë ardhmja e bujqësisë
Ëndrra e fermerëve hidroponikë është gjithmonë të shpresojnë për kultura bimore cilësore, sepse ky do të jetë çelësi i suksesit në bujqësi. Cilësia e vjeljes së perimeve hidroponike ndikohet nga shumë gjëra, nga përzgjedhja e farës deri te kujdesi i bimës.
Në një intervistë për emisioni “Mirëmëngjesi Shqipëri”, Ina Nanaj vajza që ka ngritur fermën e parë hidroponike me mikrofiliza u shpreh se ky sistem do të jetë e ardhmja e bujqësisë.
“Uji është baza kryesore e bimës dhe të gjitha mineralet dhe ushqimet që ka nevoje bima mund t’ia japim nëpërmjet ujit. Sistemi hidroponik është një sistem vertikal në një hapësirë të caktuar vertikale ku mund të prodhojmë 10-fishin ose 7-fishin varet sa kate bëjmë sistemin. Është një sistem i cili na ndihmon të fusim në përdorim tokat të cilat kanë dal jashtë përdorimi, mund ti bëjmë në vende të mbyllura.
Sistemi hidroponik është për të kontrolluar në mënyrë të rregullt të gjithë ushqimin e bimës dhe furnizimin e bimës me ujë. Në sistemin hidroponik sigurojmë pastërtinë e produktit gati për tu konsumuar, që do të thotë konsumatori e pret e hedh në ushqimin e vet dhe e konsumon nuk ka nevojë as ta lajë as ta ruaj në frigorifer.
Siguria e këtij produkti do të thotë produkt i pa spërkatur me pesticide, i pa spërkatur me kimikate dhe i pa spërkatur me konservues. Është një produkt bakteriologjikisht i pastër”, tha Ina Nanaj.