“Histori Sportive” në RTSH Shkodra – Kudrete Kozmai, ish notarja dhe trajnerja kampione e Shqipërisë
Personazhi kryesor i emiosionit “Histori Sportive”, i transmetuar mbrëmjen e së premtes në RTSH Shkodra, ka qënë një emër i spikatur i sportit.
Bëhet fjalë për Kudrete Kozmain, e cila u nda para kohe nga jeta, por pas ka lënë një karriere shumë të pasur sportive.
E lindur në një familje sportive shkodrane , tipike e sportit të notit, me dy dajat Smajl dhe Enver Muriqi, padyshim ndër figurat më të spikatura, jo vetëm të Shkodrës, por edhe në rang kombëtar, Kudrete Kozmai nuk kishte sesi të mos ushqente pasionin e sportit të ujit.
Karrieren sportive ajo e nisi që në moshën 8- vjeçare, kur do të përfaqësonte Vllazninë në garat e Kampionatit Kombëtar të zhvilluara në Korçë duke vijuar kësisoj karrieren e saj me sportin e notit.
Një karrierë që shoqërohet me shumë suksese, si kampione dhe rekordmene disa vjeçare e stilit bretkosë, për të vijuar më pas me detyrën e trajneres së Vllaznisë dhe të ekipit kombëtar, ku mbërriti majat më të larta në notit shqiptar.
Nën drejtimin e saj, përfaqësimet e ekipit kombëtar kanë qënë shumë të spikatura, ku ndër to spikasin vitet e bashkëpunimit me notaren e talentuar shkodrane, Rovena Marku, duke qënë të parat nga sporti shqiptar që do të merrnin pjesë në Lojrat Olimpike të ATHINA 2004, garë e cila vinte menjëherë pas suksesit të Kampionatit Botëror të Notit zhvilluar një vit më parë në Barcelonë të Spanjës.
Kontributet e saj në shërbim të sportit të notit do të vijonin edhe në Federatën Shqiptare të Notit, ku ajo për disa vite ishte pjesë kryesore e strukturave drejtuese.
Një kontribut shumë të çmuar dha Kudrete Kozmai edhe në fushën e arsimit, por edhe në fushën e artit, ku si poete dhe stiliste e talentuar ajo organizoi spektakle të shumta në Shkodër, Tiranë, madje edhe jashtë vendit, sidomos në Kosovë.
Në mungesë të saj, pasi në një moshë të re 52- vjeçare, ajo ndërroi jetë në janar të vitit 2006 si rezultat i një sëmundje të rëndë, në këtë përvjetor të 18-të të ndarjes nga jeta, portreti i Kudrete Kozmait është rikthyer në vemendje përmes kujtimeve të pjesëtarëve të familjes, që të gjithë pjesë e familjes së notit, por edhe të futbollit.