Histori Sportive në RTSH Shkodra/Nikolin Qyrsaqi, kampioni dhe rekordmeni i peshëngritjes shqiptare
Shpeshhere, personazhet e emisionit Histori Sportive në RTSH Shkodra vijnë nga familje sportive, por këtë radhë kemi të bëjmë me një rast të veçantë. Personazhi i emisionit është Nikolin Qyrsaqi, ish peshëngritësi dhe trajneri kampion dhe rekordmen me Vllazninë, Partizanin dhe kombëtaren e Shqipërisë. Një kampion i fushës së sportit, i cili ishte i vetmi që iu shkëput traditës së mirëfilltë familjare, e tëra në fushën e artit dhe kulturës, ndër të cilët spikasin emrat e njohur të kompozitorit Pjetër Gaci(Qyrsaqi), butaforisti i Radio Televizionit Shqiptar Zef Gaci(Qyrsaqi), aktorja e Teatrit Migjeni, Marie Qyrsaqi(Gargjola), violinistja Elizabeta Qyrsaqi(Dodmasej), humoristit dhe kitaristit Gjosho Qyrsaqi, etj. Nikolin Qyrsaqi, është pjesë e një brezi të artë peshëngritësish, ku së bashku me Faruk Kalleshin, Asim Belinovin, Shtjefën Thaçin, Gjovalin Çunin, Shemsi Balen, Muhamet Tuzin, Esat Ademin, Engjëll Bilalin, Kujtim Laçin, etj, në drejtimin e trajnerëve Njazi Bushati fillimisht dhe më pas Hamza Çela, i dhanë Vllaznisë 5 tituj. Ndërkohë që, përpos Vllaznisë, Nikolin Qyrsaqi ishte edhe 3 herë kampion me e ekipin e Partizanit, si dhe për për mbi dhjetë vite ishte pjesë e rëndësishme e kombëtares së Shqipërisë.