Historiani Daut Dauti në “Ekspres”: Britania e paralajmëroi ngjarjen në Banjskë
Dje në Kosovë pati të vrarë nga radhët e Policisë dhe të disa agresorëve të dyshuar me përkatësi serbe.
Çështja u trajtua të hënën (25) në emisionin “Ekspres” të gazetarit Nolian Lole.
Analisti Agron Hoti tha se ngjarja e fundjavës ishte një agresion nga ana e shtetit serb për të destabilizuar veriun e Kosovës.
“Dje u tregua fytyra e vërtetë e Serbisë, e cila me çdo kusht i largohet dialogut me Kosovën dhe e fajëson Kosovën si refuzuese të dialogut. Serbia dje pësoi një fiasko ndërkombëtarisht, sepse aksioni i saj u shkërmoq nga Policia e Kosovës dhe Kosova menjëherë mori mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke dënuar sulmet dhe dhunën e ushtruar ndaj Policisë.
Ne lojërat e Serbisë i njohim që nga vitet ’80. Fakti që një pjesë e terroristëve trajtohen në spitalin e Novi-Sadit, ata kishin armatim të rëndë, ishin me uniforma, dhe kjo nuk e shfajëson asnjë milimetër presidentin e Serbisë,” u shpreh Hoti, duke vënë theksin te nevoja për dialog dhe që Serbisë t’i tregohet vendi me masa ndëshkimore.
Ndërkaq, historiani dhe studiuesi Daut Dauti tha se zhvillimet e fundit në Kosovën ishin paralajmëruar edhe nga Britania e Madhe muaj më parë, nëpërmjet deputetes angleze Alisha Kërns (o. Alicia Kearns).
Kërns, si kryetarja e Komisionit për Çështjet e Jashtme, akuzoi se armët po futeshin ilegalisht me makina nga Serbia në godinat e kishave serbe në territorin e Kosovës.
“Ajo ka burimet e veta dhe nuk ishte diçka që e shpiku, por krijoi një shqetësim të madh te kreu i Serbisë, [Aleksandar] Vuçiqi, i cili paralajmëroi edhe padi kundër saj. Ka javë, ndoshta muaj, që ka qenë në dijeni të shërbimeve sekrete se Serbia është duke dërguar armë në Kosovë dhe ato armë janë duke u magazinuar nëpër kisha e manastiere serbe. Njerëzit rreth Kosovës janë mësuar të besojnë se kjo nuk mund të ndodhë, sepse Kosovës e mbron KFOR-i apo ushtria amerikane, por përkundër të gjitha këtyre, kjo ndodhi,” u shpreh Dauti.
Historiani nga Londra tha se me agresionin e fundit duhet parë ndryshe edhe çështja e dialogut me Serbinë, ndonëse duhet “një zbutje e verbit diplomatik” nga ana e qeverisë së Albin Kurtit në Prishtinë.
“Unë besoj që gjatë ditëve të ardhshme duhet të ndryshojë edhe e amerikanëve dh evropianëve nëse vërtet duhet vazhduar dialogu,” tha Dauti.