“Hit List Albania”- Mahmutaj: Redaksia muzikore zgjedh këngët. Peçi: Si të votoni atë që ju pëlqeni
“Hit List Albania” programi që u shndërrua aq shpejt i dashur për publikun në ekranin e RTSH-së duket së është përqafuar nga shikuesit.
Të ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare”, dy moderatorët, Gerta Mahmutaj si edhe Ermal Peçi treguan më shumë rreth programit, mënyrën e votimeve dhe renditjen sipas klasifikimeve.
Moderatorja dhe këngëtarja Mahmutaj tha se redaksia muzikore është përgjegjëse e listës së këngëve, ndërsa ata bëjnë propozimet e çdo javë të këngëve “IN” dhe ato “Retro”. Ajo theksoi se klasifikimi është totalisht në dorën e publikut.
“Redaksia muzikore është përgjegjëse ne bëjmë propozimet e çdo javë të këngëve “IN” dhe ato “Retro”. Këngët “IN” janë tendencat më të fundit muzikore ndërsa ato “Retro” i referohemi kryesisht këngëve të festivalit të dekadës së fundit. Klasifikimi është totalisht në dorën e publikut dhe të teleshikuesve që ndjekin propozimet që bëhen nga redaksia, por sigurisht dhe të këngëve që ata pëlqejnë”, tha Mahmutaj.
Më tej moderatori Ermal Peçi ka treguar se si përzgjidhet kënga më e pëlqyer nga publiku.
“Ka një sondazh që është hapur në faqen zyrtare të RTSH-së që lidhet automatikisht në Facebook, Istagram në të gjitha hapësirat dixhitale të RTSH-së. Aty ka një sondazh ku mund të votosh. Ka pasur votime shumë të ndjeshme, çka bën dhe shumatorin e klikimeve në kanalin Youtube. Në Youtube ka një playlist “Hit List Albania” ku zakonisht janë këngët Retro, pra të dekadës, në IN janë sondazhet e RTSH-së dhe më pas bëhet shumatorja pastaj jepet klasifikimi”, shpjegoi Peçi.
“Hit List Albania” sjell dy parada muzikore “Retro” dhe “IN” duke dashur jo vetëm të rikthejë në vëmendje këngët aq të dashura të festivaleve në RTSH, por të jetë edhe dritarja e promovimit të muzikës moderne.
Publiku ka mundësi të votojë në platformat digjitale duke ndikuar menjëherë në renditjen e dy klasifikimeve muzikore.