Homazhe në nder të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare në TKOB
Në ndër të shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare, mbahen sot homazhet në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Ceremonia e nderimeve për kolosin e letrave shqipe organizohet me protokoll shtetëror nën kujdesin e Kryeministrisë.
Homazhet zhvillohen nga ora 09:00-12:30 dhe më pas kortezhi do të niset drejt varrezave të Tufinës.
Ismail Kadare u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 1 Korrik 2024 pas një arresti kardiak.
Këshilli i Ministrave e shpalli ditë zie kombëtare 2 dhe 3 Korrikun.
Në nder të Kadaresë edhe Kosova mban zi pasi dita e sotme është shpallur zi shtetërore.
Ismail Kadare, prijësi historik i letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash ishte anëtarit i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtari i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi.
Ismail Kadare do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij. Vepra që ai ka krijuar është e lidhur me çështje thelbësore të botëkuptimit shqiptar e ballkanas, të ndërveprimit të kulturave dhe vlerave qytetare të rajonit, të evoluimit të identiteteve historike e kulturore. Ajo është një dritare e rëndësisë parësore për të njohur edhe psikozat dhe komplekset e popujve të Europës Juglindore, aspiratat e vërteta të tyre.