Homazhe për Afrim Bunjakun, Osmani: Do nderohet me Urdhrin “Hero i Kosovës”
Janë mbajtur homazhet për Afrim Bunjakun, oficerin e policisë së Kosovës që u vra mëngjesin e së dielës (24 shtator) nga terroristët serbë.
Presidentja Vjosa Osmani në fjalën e saj bëri me dije se do lëshojë Urdhrin “Hero i Kosovës” për të ndjerin Bunjaku. Sipas Osmanit, ai ra në mbrojtje të rendit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.
“Jemi mbledhur në këtë ceremoni mortore për të dhënë lamtumirën e fundit rreshterit Bunjaku. Prej sot ai është hero i Kosovës.
Ai ra në mbrojtje të rendit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. Prandaj sot në emër të qytetarëve të Kosovës do ndaj urdhrin më të lartë të Republikës, Urdhrin ‘Hero i Kosovës’. Një njeri që me profesionalizëm e përkushtim iu përkushtua vendit. Heroi ynë ishte shtyllë e fuqishme e policisë.
Tregoi trimëri të pashoqe. Ai qëndroi i palëkundur në mbrojtje të ligjit dhe kundër grupeve terroriste të Serbisë për trazimin e gjitha rajonit tonë,” u shpreh Osmani.
Kryeministri Albin Kurti teksa theksoi se e sotmja është ditë zie kombëtare për Kosovën për shkak të vrasjes së Bunjakut, tha se prej këtij sulmi asgjë nuk do të jetë njësoj në Kosovë.
Kurti shtoi se faktet mbi terroristët e trajnuar dhe të mbështetur nga Serbia dolën sheshit para qytetarëve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare.
“Dita e djeshme na ka mbledhur sot këtu për të nderuar veprën e Afrim Bunjakut. Dita e sotme, është ditë zie në vendin tonë për shkak rreshterit të policisë që humbëm dje.
Ai u vra nga një sulm mbi policinë dhe shtetin tonë nga persona të trajnuar dhe ,me plan, të trajnuar dhe mbështetur nga Serbia. Reagimi profesional i policisë sonë rezultoi me eliminimin e disa terroristëve dhe neutralizimin e grupit të tyre.
Nga dje, asgjë nuk mund të jetë më njësoj. Faktet dolën sheshit në sytë tonë dhe bashkësisë ndërkombëtare”, u shpreh Kurti.
Të pranishëm gjatë homazheve ndaj Binjakut ishin Presidentja e Kosovës, Kryeministri Albin Kurti, Ministra e zyrtarë të lartë, Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Ministri i Jashtëm Igli Hasani.