“Honoris Causa” për gjeneralin amerikan, Rama: Porto Romano, lehtësim për ndërhyrjet e NATO-s në Korridorin 8
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të Gjeneralit amerikan të NATO-s Kristofer Kavoli (Christopher G. Cavoli) me titullin “Doctor Honoris Causa”. Titulli iu akordua gjeneral Kavolit për kontributin e tij të spikatur në forcimin e sigurisë dhe bashkëpunimit global.
Gjatë fjalës së tij Rama e cilësoi gjeneralin si një mik të çmuar të Shqipërisë dhe mbështetës i vendit tonë në NATO.
Kryeministri theksoi gjithashtu se Shqipëria do të bëjë sa mundet për të bashkëpunuar dhe ndihmuar NATO-n dhe këtu bën pjesë edhe projekti i Porto Romanos, ku i mundëson Aleancës së Atlantikut të Veriut një rrugë për ndërhyrjen në Korridorin 8.
“Ti je duke më parë mua dhe unë e di që ti e di se çfarë vjen pas. Ti je i sigurt për projektin e Porto Romanos. Vendi ynë është gati për të kontribuar për lehtësimin e ndërhyrjeve të NATO-s në Korridorin 8, një rrugë strategjike nga Adriatiku në Detin e Zi. Pra, nuk janë thjeshtë fjalë, por është një bashkëpunim dhe ky bashkëpunim shkon në të dyja anët. Shqipëria është gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar në mënyrën e vet, por kur bashkëpunimi është dy krahësh. Siç thuhet Zoti bekoftë Amerikën! Zoti bekoftë NATO-n! Zoti bekoftë Shqipërinë!”, tha Rama.
Kristofer Kavoli prej vitit 2022 mban detyrën e komandantit Suprem të NATO-s dhe Forcave Amerikane në Europë
Komandanti ushtarak i NATO-s, gjeneral Kristofer Kavoli (Christopher Cavoli) ndodhet në një vizitë Shqipëri, ku është takuar me Presidentin Bajram Begaj dhe me të ngarkuarën me punë të SHBA në vendin tonë Nensi (Nancy) VanHorn.
Gjenerali do marrë pjesë edhe në Konferencën e 27 të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-Kartës së Adriatikut.