Hovenier: Takimi në Bruksel dha shenja pozitive, presim që Kosova të jetë anëtare e NATO-s
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhef (Jeff) Hovenier, është takuar këtë të mërkurë (20 mars) me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi në lidhje me takimin që ky i fundit zhvilloi një ditë më parë në Bruksel me kryenegociatorin e Serbisë Petar Petkoviq për dinarin dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Në një deklaratë për media, Hovenier u shpreh se në takimin e kryenegociatorëve në Bruksel pati “shenja pozitive” për gjetjen e zgjidhjes për çështjen e dinarit.
Ndërsa u shpreh se respektojnë rregulloren e BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit serb nga 1 shkurti, Hovenier përsëriti shqetësimin për ndikimin që mund të ketë kjo rregullore në komunitetin serb.
“Jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë në popullatën e cenueshme, posaçërisht komunitetin serb të Kosovës dhe mendoj që është me rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit dhe bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë. Është mirë të shohim që ka mundësi që të dy palët ofrojnë rrugëzgjidhje se si mund të bëhet kjo, si dhe përgjegjësitë e zotit Lajçak”, deklaroi Hovenier.
Pyetur nëse Bislimi dha propozim për zgjidhjen e kësaj çështje, Hovenier u shpreh se “Qeveria është duke punuar në këtë drejtim”.
Hovenier theksoi se populli i Kosovës nuk duhet të ndihet i shqetësuar nga kërcënimet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ndërsa shtoi se aleanca më e fortë ushtarake është në Kosovë.
“SHBA mbështet popullin e Kosovës dhe FSK-në, si forcë multietnike për mbrojtje territoriale. Kosova përballet me një sfidë me disa anëtarë të NATO-së. Dëshirojmë të shohim të ardhmen e Kosovës në NATO. Presim që Kosova të jetë anëtare e NATO-së. Ne do të bëjmë çdo gjë që ta përkrahim këtë. SHBA-ja ka investuar shumë energji dhe është angazhuar shumë për të përkrahur Kosovën e FSK-në në tranzicionin e saj. Kosova përballet me sfidën, që disa shtete të NATO-s nuk e njohin siç e njeh SHBA-ja e partnerët tjerë. Duam të shohim këtë të ndryshojë. Duam të shohim që të avancojë e ardhmja e Kosovës në NATO. Kosova është shumë mirë me NATO-n sa i përket vlerave e institucioneve. Ka probleme e çështje që duhet zgjidhur”, tha Hovenier.