Hoxha: Zyra e re për Rikuperimin e Aseteve do të përdorë inteligjencën policore për të ndjekur paranë
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha deklaroi sot se është duke u finalizuar dhe do të dërgohet për miratim nisma ligjore për rikuperimin e aseteve.
“Zyra e Rikuperimit të Aseteve (ZRA) është projektuar si një njësi proaktive pranë Policisë, sipas modelit të disa vendeve evropiane”, u shpreh Hoxha.
Kjo njësi, theksoi ministri, ndryshe nga AAPSK, do të përdorë inteligjencën policore për të ndjekur paranë apo prona me burim të dyshimtë.
Deklarata e ministrit u bë gjatë një takimi ku prezantoi Risena Xhajën në krye të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK).
Xhaja vjen nga një përvojë e gjatë në administratë.
Sipas ministrit, AAPSK është një mekanizëm jashtëzakonisht i rëndësishëm për luftën kundër krimit, sidomos kundër krimit të organizuar, për goditjen e tij në pikën më nevralgjike, që është paraja, të ardhurat dhe pasuria.