Hungaria kushte të reja për anëtarësimin e Suedisë në NATO
Koalicioni qeverisës i Hungarisë nuk do të ratifikojë pranimin e Suedisë në NATO derisa kryeministri suedez, Ulf Kristersson të ketë vizituar homologun e tij hungarez Viktor Orbán në Budapest.
Kushti u njoftua nga grupi parlamentar i partisë qeverisëse populiste të krahut të djathtë, Fidesz të Orbanit. Koalicioni qeverisës përfshin gjithashtu Partinë Popullore Demokristiane Hungareze (KNDP).
Hungaria është e vetmja nga 31 vendet anëtare të NATO-s që nuk e ka ratifikuar ende pranimin e Suedisë në NATO.
Budapesti po e vonon këtë sepse qeveria populiste e krahut të djathtë thotë se ndihet e “fyer” nga kritikat e Suedisë për gjendjen e shtetit të së drejtës në Hungari.
Kristersson dhe Orbán u takuan të enjten shkurtimisht në samitin e BE-së në Bruksel. Kristersson u tha gazetarëve suedezë në një konferencë për shtyp se kishte pasur “një bisedë të mirë me Viktor Orban”.
Ai nuk e përcaktoi se kur do të ketë një takim në Hungari.
Megjithatë, kryeministri suedez tregoi se ai nuk do të preferonte të udhëtonte në Budapest derisa Hungaria të ratifikojë marrëveshjen dhe Suedia të ketë të gjitha ratifikimet për anëtarësimin e saj në NATO.
Në kuadër të luftës ruse kundër Ukrainës, Suedia aplikoi për anëtarësim në NATO së bashku me Finlandën në maj 2022.
Finlanda u mirëprit si anëtarja e 31-të e aleancës në fillim të prillit të vitit të kaluar.