Hungaria nderon ish-ambasadoren/ Mira Hoxha dekorohet me Urdhrin e Meritës
Me titullin më të lartë Hungaria ka nderuar ish-ambasadoren e Shqipërisë në Hungari, Mira Hoxha.
Urdhri i Meritës “Kryqi i Komandantit” i është dhënë ish-ambasadores për meritat e veçanta në rritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Lidhjet mes Shqipërisë dhe Hungarisë janë me shekuj, por këto lidhje duan njerëz si Mira për të vijuar më tej e për t’u forcuar. Për këtë arsye me mirënjohjen e qeverisë, presidenti i Hungarisë i jep këtë dekoratë në shenjë të mirënjohjes së lartë,” tha Adam Lovasi (o. Lovassy), i dërguari me punë i Hungarisë.
“Dekoratat nuk janë vetëm formale, por është mirënjohje për punën e bërë me zemër dhe dedikim. Ajo çfarë më ka lumturuar sot dhe më bën të veçantë është se ky vlerësim vjen 8 vite pasi kam lënë detyrën në Hungari,” u shpreh ish-ambasadorja Hoxha.
Në vitin 2011, Mira Hoxha është dekretuar Ambasadore e Shqipërisë në Hungari.
Gjatë mandatit të saj pesëvjeçar, ajo ka realizuar një aktivitet të dalluar diplomatik. Karriera e saj diplomatike, për më tepër ka vazhduar edhe duke qenë Pika Fokale Shqiptare e Vëzhgimit të Zgjedhjeve për OSBE/ODIHR, si dhe Koordinatore Kombëtare e disa nismave të rëndësishme rajonale, siç janë Nisma e Evropës Qendrore, Nisma Adriatiko-Joniane etj.