Hyrje-daljet në Shqipëri, mbi 7 milionë vizitorë në tetë muajt e parë
Shqipërinë në muajin gusht e vizituan 2,86 milion njerëz, shqiptarë dhe të huaj, dhe gati 7,2 milionë persona gjithsej (7.190.410) në tetë muajt e parë të vitit.
Instituti i Statistikave raporton se shifra e gushtit përbën një rritje me gati 17 për qind nga viti 2022, ndërkohë që daljet nga vendi drejt shteteve të huaja në të njëjtën periudhë po ashtu u rrit me mbi 20% në 3 milionë njerëz.
Në gusht 2023, Evropa është rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri (1,951 milion), ndjekur nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 40.106 dhe 12.335.
Në muajin gusht, krahasuar me vitin 2022, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur:
- për qëllime personale me 18,2%;
- për qëllime pushimi, vizita tek të afërmit etj. me 22,5%;
- për biznes dhe qëllime profesionale me 34,1%.