Hysaj: Lacio? Do gjej një zgjidhje, nuk do rri të shikoj
Kapiteni i përfaqësueses kuqezi, Elseid Hysaj është angazhuar me minutazh të plotë në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, pavarësisht situatës që po kalon te skuadra e Lacios, i “burgosur” në të gjitha drejtimet.
Gjatë komentit në funksion të humbjes me Gjeorgjinë, mbrojtësi ka folur dhe situatën e tij te skuadra italiane duke theksuar: “Nuk kam kontaktuar me asnjë nga klubi. E mësova në media që më kishin lënë jashtë listës së Serisë A. Do të gjej një zgjidhje, nuk do të rri të shikoj të tjerët ndërsa luajnë”.
Përsa i përket humbjes 0-1 në “Air Albania” përballë Gjeorgjisë, Hysaj u shpreh: “Bëmë një ndeshje të mirë, nuk ishte e keqe. Gjeorgjia është një skuadër në rritje, është vlerësuar si më e forta e grupit. Duhet të tregoheshim më të zgjuar, janë detajet që bëjnë dallimin. Gjithsesi, duhet të kemi besim, i kemi mundësitë të vazhdojmë përpara”.