I dënuar për vrasjen e së dashurës, atleti Oskar Pistorius lirohet me kusht pas 9 vitesh
Pas 9 vitesh i burgosur për vrasjen e ish-të dashurës së tij, atleti paraolimpik, Oskar Pistorius (o. Oscar), u lirua të premten me kusht nga burgu i Pretorisë në Afrikën e Jugut.
37-vjeçari po vuan dënimin prej 13 vite e 5 muaj për akuzën se në vitin 2013 qëlloi për vdekje me armë 29-vjeçaren Riva Stinkamp (o. Reeva Steenkamp) në Ditën e Shën Valentinit.
Vendimi për lirimin e tij me kusht u dha në nëntor, pasi ligji i shtetit afrikan i lejon të dënuarit ta përfitojnë nëse kanë kryer të paktën gjysmën e dënimit. Pistorius do të duhet të jetojë në kushte strikte deri kur t’i përfundojë dënimi në dhjetor 2029. Ai nuk mund të largohet nga shtëpia, të mos konsumojë alkool dhe të takojë rregullisht zyrtarët e ngarkuar për ta mbikëqyrur.
E ëma e të ndjerës Stinkamp tha se lirimi i tij kishte konfirmuar besimin e saj dhe të bashkëshortit në sistemin e drejtësisë të Afrikës Jugore.
“Kushtet që ka vendosur bordi, ku përfshihen kurset për të kontrolluar zemërimin dhe programet e edukimit mbi dhunën me baza gjinore dërgojnë sinjalin e duhur se dhuna me baza gjinore duhet marrë seriozisht. A ka pasur drejtësi për Rivën dhe a ka vuajtur sa duhet Oskari? Nuk ka për të pasur kurrë drejtësi nëse një i dashuri yt nuk kthehet më, sado të vuajë dikush nuk ka për ta kthyer Rivën,” tha Xhun, mamaja e modeles së ndjerë.
Gjykimi i Pistoriusit kapi vëmendjen e mbarë botës një dekadë më parë dhe e shndërroi atletin nga një kampion dhe hero publik i gjymtuar nga këmbët e poshtë, në një vrasës. Ai u shpall kampion duke garuar me këmbët protezë në Lojërat Olimpike në Londër në vitin 2012. /AJ