I dënuari ndërron jetë në spitalin e Shkodrës/Policia: Pësoi arrest kardiak, 42-vjeçari ishte arrestuar për dhunë në familje
Një i burgosur, i cili vuante dënimin në burgun e Lezhës, ka ndërruar jetë në spitalin e Shkodrës, mbrëmjen e së Premtes, atje ku u transportua me urgjencë për shkak të komplikacioneve shëndetësore.Sipas policisë shtetasi që ka humbur jetë është Gjevalin Ndue Lika, 42 vjeç. Dyshimet e para janë se humbja e jetës është shkaktuar nga arresti kardiak.Lika ishte arrestuar në 2015 për dhunë në familje dhe Gjykata e Tiranës kishte caktuar ndaj tij masën e mjekimit të detyruar. Në këto kushte ai ishte vendosur në Institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale të Krujës, më pas ishte transferuar në IEVP-në Lezhë, ku ndodhej prej 3 vitesh. Sipas raportimeve, 42-vjeçari vuante nga skizofrenia dhe trajtohej me medikamentin Resperidon.Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ngushëllon famijen për humbjen e parakohshme të njeriut të tyre.