I jepet lamtumira e fundit Afrim Bunjakut, Kurti: Nuk ka kompromis me krimin dhe terrorin
I është dhënë lamtumira e fundit policit Afrim Bunjaku, i cili mbeti i vrarë të dielën (24 shtator) gjatë sulmeve nga grupi i armatosur serb në fshatin Banjskë të Zveçanit. Trupi i “Heroit të Kosovës” do të prehet në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë, ndërsa u përcoll me ceremoni shtetërore.
I pranishëm gjatë ceremonisë së varrimit, kryeministri Albin Kurti u shpreh se Kosova nuk do të bëjë kompromis me krimin dhe terrorin.
“Rënia në detyrë e rreshter, Afrim Bunjakut, i veshur në uniformën e Policisë së Kosovës, është një sakrificë në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetueshmëri, drejtësi e të drejta për çdo qytetar të Kosovës, pa dallim. Përballë këtyre strukturave armiqësore, do të ngadhënjejë Kosova me përpjekjen e saj legjitime për rend dhe ligj dhe sovranitet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj”, tha Kurti.
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe armatosur, ku për pasojë humbi jetën polici Afrim Bunjaku dhe disa të tjerë u plagosën.
Grupi i armatosur u strehua në manastirin e Banjskës, ndërsa pati shkëmbime zjarri me Policinë e Kosovës për disa orë. Sipas autoriteteve të Kosovës, 4 sulmues humbën jetën, ndërsa gjashtë persona janë arrestuar. Aktualisht, situata në veri paraqitet e qetë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi Beogradin zyrtar si organizatorë të sulmit, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës.