“I lumtur që po ‘pushtojmë’ UEFA-n”, Asani rreagon pas votimit në rrjetet sociale
Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Jasir Asani ka reaguar në rrjetet sociale pak orë pasi goli i tij përballë Polonisë u votua si më i miri i ndeshjeve të raundit të gjashtë në eliminatoret e Kampionatit Europian. UEFA ka publikuar pasditen e së premtes rezultatin e votimit, teksa perla e Asanit përballë djemve të Santosit ka marrë pjesën më të madhe të votave.
Në çdo drejtim ajo goditje e Asanit ishte perfekte, pasi shtangu një nga portierët më të mirë në Europë si Shezni, i cili në fundin e pjesës së parë e përgëzoi lojtarin e lindur në Shkup. Asani ka shfrytëzuar rrjetet sociale për t’i falënderuar shqiptarët për votimin duke u treguar euforik për të ardhmen.
“Falënderoj gjithë shqiptarët kudo në botë që më kanë votuar dhe UEFA sot më ka zgjedhur si goli më i bukur. Jam i lumtur që po e ‘pushtojmë’ UEFA-n. Uroj mos të jetë hera e fundit që bëjmë diçka të tillë. Nuk do të ndalemi me kaq, faleminderit edhe njëherë, pa ju nuk do të mundeshim”, ka shkruar Asani.