I ngritën pritë në Bushat, vëllezërit Prendi qëlluan drejt Audit të blinduar në lëvizje, shpallen në kërkim
Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen kriminale të ndodhur mbrëmjen e djeshme (23 gusht) në fshatin Rranxa të njësisë Bushat në bashkinë Vau Dejës. Duket se e gjithë ngjarja ka qenë një pritë e organizuar ndaj personave që udhëtonin me një Audi të blinduar, ndërsa autor të kësaj ngjarje sipas policisë janë vëllezërit Prendi.
Kanë qenë kamerat e sigurisë të sekuestruara nga policia që kanë zbardhur dinamikën e ngjarjes, ku sipas policisë “automjeti tip Audi që u qëllua ka qenë në ecje e sipër dhe dyshohet se personat që ndodheshin brenda po shkonin tek vëllezërit Prendi për një konflikt të dyshuar mes tyre por janë pritur me armë zjarri”. Mbetet ende e paqartë se kush udhëtonte brenda Audit të blinduar.
Për ngjarjen policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim vëllezërit Prendi dhe një person tjetër si autor.
Mendohet se njëri prej tyre ka qëlluar nga një motor me automatik kallashnikov në drejtim të mjetit të blinduar tip Audi ndërsa të tjerët kanë qenë në një mjet tip BMW që është sekuestruar nga policia.
Mjeti tip BMW është i dëmtuar edhe ai nga plumbat duke treguar se ka patur shkëmbim zjarri.
Policia ka ushtruar kontroll në banesën e vëllezërve Prendi në Rranxa por nuk i kanë gjetur aty dhe është bërë shpallja e tyre në kërkim.
Personat e ndodhur në automjetin tip Audi dyshohet se janë larguar me një makinë tjetër e cila ishte në mbështetje të tyre. Policia ka mbledhur kamerat e sigurisë në zonën përreth duke bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar dhe sekuestrimin e automjetit tip BMW. Policia vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.