I nxehti ekstrem, Xhakollari: Jemi në krizë klimatike. Vitet që vijnë, temperatura edhe më të larta

Jo vetëm Shqipëria, por i gjithë Mesdheu është përfshirë nga temperatura ekstremisht të larta, ndërsa për meteorologen Rezarta Xhakollari është një anomali e motit.
E ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH, Xhakollari u shpreh se temperaturat e larta e vijnë për shkak të ndikimit të anticiklonit afrikan, që vitet e fundit është bërë gjithnjë e më i shpeshtë.
Xhakollari theksoi se, për shkak të krizës klimatike, parashikohet që vitet në vijim të jenë edhe më të nxehtë.
“Është një anomali që ka përfshirë Mesdheun dhe ky i nxehti që vjen nga Saharaja është shtrirë deri në Europën verilindore dhe Kosova po përjeton temperatura ekstremisht të larta dhe kjo prej anticiklonit afrikan që vitet e fundit është më i shpeshtë. Para 20-30 vitesh nuk ka qenë kaq protagonist. Nga analizat që bëhen lidhur me klimën, qe tashmë e kemi quajtur krizë klimatike, parashikohet të kemi çdo vit temperatura edhe më të larta. Do varemi tashmë nga kushtet klimatike, do ta drejtojë ajo ekonominë dhe me radhë”, u shpreh Xhakollari.