I pari kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Begaj uron Xhaferin: Shqiptarët, faktor stabiliteti
Presidenti, Bajram Begaj ka uruar Talat Xhaferin për zgjedhjen e tij në krye të qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut.
Përmes një postimi në Facebook, Begaj shprehet se kjo qeveri ka sfidën për të ruajtur stabilitetin dhe kursin euro-atlantik të vendit si dhe të dëshmojë aftësinë e bashkëpunimit me të gjithë faktorët pa dallim politik dhe etnik.
Begaj shton më tej se shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe ardhmërinë e RMV dhe se është rasti që të dëshmojnë se e shohin lidershipin vetëm në perspektivën e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
“Urimet e mia më të përzemërta qeverisë së re teknike të Maqedonisë së Veriut dhe Kryeministrit të saj, zotit Talat Xhaferi!
Pavarësisht kufizimit në kohë dhe në kompetenca, kjo qeveri ka sfidën dhe privilegjin për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme, për të ruajtur stabilitetin dhe kursin euro-atlantik të vendit si dhe të dëshmojë aftësinë për të qenë gjithpërfshirëse dhe bashkëpunuese me të gjithë faktorët pa dallim politik dhe etnik!
Shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe ardhmërinë e RMV.
Ky është rasti që ata të dëshmojnë se e shohin lidershipin vetëm në perspektivën e integrimit të RMV në BE. Suksese!”, shkruan Begaj.
Talat Xhaferi do të bëhet këtë të diel (28 janar) kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.