I vendoset lëndë plasëse agjencisë funerale në Shkodër, Policia: Nuk ka të lënduar
Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte (29 gusht) në Shkodër.
Lënda plasëse, sipas informacioneve paraprake, u vendos në derën e një agjencie funerale, në lagjen “Skënderbeg”.
Policia ka bërë me dije se fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
“Rreth orës 03:20, në lagjen “Skenderbeg”, në derën e një agjensie funerale në pronësi të shtetases F. F., është hedhur një sasi e vogël lëndë plasëse.
Si pasojë ka vetëm dëme materiale”, thuhet në njoftim.
Sipas informacioneve siguruar nga RTSH, persona ende të paidentifikuar janë afruar të maskuar pranë subjektit, duke vendosur tritolin dhe më pas janë larguar me shpejtësi.
Pista e parë e hetimit mbetet ajo e konkurrencës, teksa Policia ndodhet në vendngjarje për shoqërime, mbledhje provash dhe dëshmish, si dhe ndjekjen dhe kapjen e autorëve të krimit.