IKMT dhe Policia e Shtetit çlirojnë hapësirat përgjatë rrugëve kombëtare
Inspektorati i Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit me mbështetjen e Policisë së Shtetit po çliron hapësirat përgjatë rrugëve kombëtare nga ndërhyrjet dhe zhvillimet e kundërligjshme.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka deklaruar se vendgrumbullimet e mjeteve motorike, rimorkiove dhe pjesëve të tyre të këmbimit, mjeteve të dala jashtë përdorimit përgjatë rrugëve, ndalohen me ligj. Balla theksoi se nga e hëna e në vijim, pas fazës së parë të ndërgjegjësimit, do të procedohet me heqjen e këtyre mjeteve me karotrec.
“Këtu do përfshihet dhe policia e shtetit. Në mënyrë të drejtpërdrejtë duhet të merrni kontakte me bizneset të cilat duhet të zbatojnë ligjin e të kujdesemi për tërheqjen e mjeteve që janë parkuar në mënyrë të parregullt dhe janë edhe burim aksidentesh.
Të garantojmë që bizneset të mbajnë përgjegjësi për fasadën apo mënyrën e vendosjes, daljes në mënyrë që të bëjmë një pastrim si asnjëherë tjetër.
Jemi në kohën e duhur që këtë akt ta shoqërojmë me akte nënligjore për të garantuar respektimin.
Do flasim me organet e qeverisjes vendore që të përfshihen në një fushatë pastrimi. Përgjatë kësaj faze pastrimi do ishte e domosdoshme të bënim dhe pastrim të mbetjeve plastike që të garantojmë që në rrugët kryesore të vendit të bëhet pastrim radikal si asnjëherë tjetër.
Kjo është javë njoftimi për zhvendosje nga ana e vetë subjektit, java e ndërgjegjësimit. Nga e hëna në vazhdim, vijojmë me marrjen me karotrec për t’i çuar në pikat e bllokimit.
Të angazhohet dhe policia rrugore, sepse këto konsiderohen si parkim i gabuar, Nëse qytetarët nuk bashkëpunojnë do penalizohen edhe për këtë pjesë.
Ky proces i pastrimit të anëve të rrugëve kryesore, duhet të jetë objektiv kryesor i IKMT-së. Policia e shtetit dhe agjencitë e tjera do jenë në mbështetje”, tha Balla, teksa theksoi se mesi i muajit prill, duhet të garantoj sezon turistik me një pamje krejtësisht tjetër.