ILD dhe Shkolla e Magjistraturës bashkëpunim për fuqizimin i ekipit të inspektimit
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani dhe drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për përfshirjen në programin e formimit vazhdues të Shkollës së Magjistraturës, të moduleve dhe temave të trajnimit, të përshtatshme në interes të inspektorëve dhe ndihmësinspektorëve pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të cilat do t’i nënshtrohen rishikimit çdo vit.
Ky bashkëpunim në nivel akademik do shoqërohet me organizimin e konferencave të përbashkëta, leksioneve të hapura apo aktiviteteve të tjera në funksion të rritjes së eficencës së veprimtarisë dhe zhvillimit profesional të inspektorëve dhe ndihmësinspektorëve, e më tej edhe në shkëmbimin e ndërsjellë të informacionit në lidhje me analiza apo të dhëna, që i shërbejnë aktiviteteve të përbashkëta.
Fuqizimi i kapaciteteve të ekipit të inspektimit mbetet prioritet i qëndrueshëm i Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, një proces pune që parashikon trajnime periodike me institucione homologe të vendeve të Bashkimit Evropian, e nga institucione ndërkombëtare, partnerë të ILD-së, që tashmë do plotësohet si praktikë e qëndrueshme, me zyrtarizimin e bashkëpunimit me Shkollën e Magjistraturës.