Ilir Mënga në krye të DPSHTRR-së, Gonxhja: I bindur që do të çojë përpara projektet e nisura
Ilir Mëngra është Drejtori i ri i Përgjithshëm i DPSHTRR-së. Ish-drejtori Blendi Gonxhja ka uruar pasardhësin e tij në këtë detyrë, duke shprehur bindjen se Mengra do të çojë përpara projektet e nisura, ndërsa e ka garantuar se do i japë gjithë mbështetjen e nevojshme.
“Punë të mbarë Ilir Mengra si Drejtori i ri i Përgjithshëm i DPSHTRR-së! Stafetë emocionuese sepse të dy punuam gjatë sëbashku dhe e ngritëm shërbimin në nivelin e sotëm! Kënaqësi që Kryeministri, ZvKryeministrja dhe MIE i dhanë besim vazhdimësisë së punës dhe qendrueshmërisë së ekipit, duke na vlerësuar dhe duke mbështetur eksperiencën pozitive! Iliri ka spikatur si një profesionist shumë i aftë dhe i përkushtuar, duke treguar vazhdimisht cilësi shumë të mira drejtuese e ndaj jam i bindur që do të çojë përpara projektet e nisura, ku ndihma e mbështetja ime s’do të mungojnë, tashmë si Ministër i Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit! “, shkruan Gonxhja në rrjetin social Facebook.
Gonxhja ka deklaruar se një tjetër zgjedhje e duhur është dhe vendosja e Afrim Toles si Drejtor i ri i DRSHTRR Tiranë.
“Gjithashtu punë të mbarë Afrim Tole, si Drejtori i ri i DRSHTRR Tiranë! Lajm tjetër i mirë, zgjedhje e duhur pas mirëdrejtimit të Task-Forcës së Transportit Rrugor!
Suksese dy drejtuesve që më bëjnë krenar që i kam patur kolegë direkt dhe që do ta mirëadministrojnë në vijim Automotorizimin Shqiptar!
Suksese DPSHTRR! Urime skuadrës kampione të Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor që pata privilegjin ta drejtoja prej Nëntorit 2018! Mirënjohës përjetë për kontributin e gjithësecilit, për rrugëtimin tonë të bukur dhe shpirtin e misionit që e ktheu entin në një model suksesi!”, tha ai.
Më 8 janar, Kryeministri Rama emëroi Blendi Gonxhen në krye të një ministrie të re, atë të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Gonxhja u votua në Kuvend më 15 janar, me 73 vota pro.
Në vend të tij, në krye të DPSHTRR-së u vendos Ilir Mëngra ish-kreu i drejtorisë rajonale të Transportit Rrugor në Tiranë.