Imazhet e hershme nga Hamami i Pazarit të Shkodrës
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ndau në rrjetet sociale një foto të hershme të qytetit, nga fillimshekulli i kaluar.
Deri në fillim të shek.XX ngjitur me kodrën e Kalasë së Rozafës, buzë lumit Buna, ndodhej Hamami i Pazarit të Shkodrës.
Në origjinë Kisha e Shën Vlashit ndërtuar në shek.XIV në lagjen e tregtarëve raguzanë, do të rrënohej në 1452, me urdhër të kapitenit venecian të qytetit, si masë mbrojtjeje, meqë ishte shumë pranë mureve rrethuese të qytetit të poshtëm.
Më vonë, pas pushtimit osman, rrënojat do ringriheshin për t’a kthyer në hamam, funksion që e kreu deri në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Për pak vite Hamami i Pazarit të Shkodrës shërbeu si magazinë deri në vitin 1967, kur objekti u shemb plotësisht për ndërtimin e rrugës hyrëse të qytetit.