Industria bullgare e trëndafilave, vjelësit ikin në Francë për pagë më të mirë …

Industria bullgare e trendafilave vjelesit ikin ne France per page
Industria bullgare e trëndafilave, vjelësit ikin në Francë për pagë më të mirë
Pavarësisht se është prodhuesi kryesor në botë i vajit të trëndafilit, një përbërës i rëndësishëm për ilaçe dhe parfume, industria shekullore e Bullgarisë po përballet me vështirësi.
“Çdo vit ne pësojmë humbje për shkak të luleve që nuk vilen. Me sa duket, pagat që ne ofrojmë nuk janë mjaft konkurruese,” thotë fermeri Hristo Nikolov për Radion Evropa e Lirë.
Bullgaria plotëson 70 për qind të kërkesës globale për vaj trëndafili të destiluar. Por, sfida më e madhe e fermerëve është mungesa e vjelësve, të cilët, sipas tyre, shkojnë në Francë, ngaqë paguhen më shumë.
“Sfida e konkurrimit është pothuajse e pakapërcyeshme kur ne u ofrojmë punëtorëve 20 ose 30 euro në ditë. Por atyre në Francë u ofrohen 80 deri në 100 euro në ditë. Sigurisht secili do të hipë në avionin e parë dhe të shkojë në Francë… Çdo vit 500 deri në 1500 punëtorë nga rajoni ynë këtu në Karlovë, po flasim për punëtorë tradicionalë të bujqësisë, shkojnë të punojnë në Francë,” thotë Nikolov.
Kjo ka bërë që 10 për qind e plantacioneve të trendafilëve në Bullgari të mbyllen këtë vit. Fillimisht ndikimi i COVID-19, pasuar nga mungesa e vjelësve, dhe tani nga një kërcënim që vjen nga rregulloret e reja të Bashkimit Evropian – po i kushton Sofjes.