Infantino dhe Ceferin urojnë futbollin shqiptar

Infantino dhe Ceferin

Infantino dhe Ceferin

Në mbrëmjen Gala “Më të Mirët 2023” të organizuar nga FSHF, janë bërë pjesë dhe Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, si dhe ai i UEFA-s, Aleksander Ceferin, të cilët, me anë të një video-mesazhi, kanë vlerësuar dhe uruar futbollin shqiptar, sidomos për arritjet gjatë vitit 2023.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino: “I dashur President Duka, i dashur Armand,

Të dashur kolegë në Federatën Shqiptare të Futbollit,

Të dashur miq,

Në një mbrëmje të tillë si kjo që po shijoni sonte, ne festojmë momentet më të mira të futbollit shqiptar dhe vendi juaj sigurisht që ka shumë për t’ju ndjerë krenar, pas një viti 2023 fantastik.

Në vitin 2022, ne festuam 90-vjetorin e anëtarësimit të Federatës Shqiptare të Futbollit në FIFA dhe ju mirëpritët finalen e një kompeticioni evropian për klube në kryeqytetin tuaj të bukur.

Këtë vit ju keni siguruar pjesëmarrjen tuaj në finalet e EURO 2024 – duke u renditur për herë të parë në krye të grupit tuaj kualifikues. Epo, unë vetëm mund t’ju përgëzoj të gjithëve, Presidentin Duka, trajnerin e Kombëtares Sylvinho, të gjithë lojtarët dhe stafin që e kanë bërë të mundur këtë arritje. Jam i sigurt që verën e ardhshme do ta bëni krenar vendin tuaj në Gjermani.

Sigurisht, me Kupën e Botës FIFA për femra, ishte gjithashtu një vit i madh për FIFA-n dhe për futbollin e femrave. Ishte një turne transformues, Kupa e Botës më e mirë e FIFA-s për femra deri më sot, dhe jam i kënaqur të shoh që Federata Shqiptare e Futbollit po fokusohet gjithashtu në përfshirjen e sa më shumë vajzave dhe grave në futboll dhe ne po shohim progres pozitiv gradual në renditjen botërore në këtë aspekt.

E kam mirëpritur me entuziazëm strategjinë e futbollit të vajzave “Rising Stars”, që ju prezantuat kohët e fundit dhe dua t’ju inkurajoj që të ndiqni synimet tuaja – imagjinoni sa fantastike do të ishte të shikonim Kombëtaren e Shqipërisë në Kupën e Botës FIFA me 48 ekipe në 2026-n dhe Kombëtaren e vajzave në Kupën e Botës FIFA për femra një vit më pas!

Jo vetëm kaq, por me më shumë mundësi të krijuara në nivelet e moshave falë turneve të përvitshëm të FIFA-s me një pjesëmarrje gjithnjë e më të gjerë, pres me padurim të shoh ekipet shqiptare të moshave për vajza dhe djem të bëjnë progres dhe të marrin pjesë në kompeticionet tona U-17 dhe U-20 në një të ardhme shumë të afërt.

E di që e ardhmja e futbollit në Shqipëri është në duar të sigurta dhe shumë të afta, falë edhe mbështetjes së Qeverisë dhe Kryeministrit, mikut tim të dashur Edi Rama dhe jam i sigurt që do të vazhdoni ta bëni lojën e bukur edhe më të bukur falë të menduarit në mënyrë inteligjente dhe krijuese, dhe, natyrisht, vendosmërisë dhe punës tuaj të palodhur. Dhe ju tashmë prisni kaq shumë zhvillime vitin e ardhshëm.

Urime fituesve të çmimeve për arritjet e tyre këtë vit dhe, natyrisht, ju uroj të gjithëve një mbrëmje të mrekullueshme.

Shihemi së shpejti. Një përqafim i madh për të gjithë. Mirupafshim”.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin: “Të dashur të ftuar, të dashur miq të futbollit dhe miku im i dashur Armand!

Nëse ndaleni një moment dhe analizoni vitin që po lëmë pas, keni çdo arsye për t’u ndjerë krenarë për veten tuaj. Futbolli në Shqipëri po rritet me ritme të shpejta me disa arritje të jashtëzakonshme që flasin shumë.

Investimet e mençura në infrastrukturën e futbollit po japin rezultate, ashtu si puna e palodhur, vizioni i qartë dhe respekti për futbollin dhe vlerat e tij thelbësore. Kombëtarja shqiptare bëri një fushatë të jashtëzakonshme kualifikuese për në Euro, duke u renditur në krye të grupit përpara Polonisë dhe Republikës Çeke.

Dua të përgëzoj ekipin tuaj për gjithë punën e mirë dhe që i bëri tifozët e tyre shumë krenarë.

Ju uroj sa më shumë fat në Gjermani verën e ardhshme.

Jam gjithashtu i kënaqur të shoh rritjen e vazhdueshme të futbollit të vajzave, rezultatet solide si në nivel klubesh ashtu edhe me ekipet kombëtare që tregojnë se ju jeni në rrugën e duhur.

Federata Shqiptare e Futbollit është bërë gjithashtu një organizatore shumë e mirë duke mirëpritur mbi 10 turne kualifikues të UEFA-s në të gjitha nivelet e moshave.

Nuk kam asnjë dyshim se turneu Euro U-17 në vitin 2025 do të jetë shumë i suksesshëm, ashtu siç ishte finalja e Ligës së Konferencës në vitin 2022.

Më lejoni ta mbyll duke ju uruar një vit të ri të mbushur me gëzim, begati dhe suksese, si brenda dhe jashtë fushës së futbollit. Dhe tani shijoni shfaqjen”.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.