“Iniciativa Globale Klinton”/ Rama: Shqipëria, përfituese maksimalisht nga të qenit anëtare e KS
Kryeministri Edi Rama, ka marrë pjesë në takimin vjetor të “Iniciativës Globale Klinton”, që u mbajt në New York ku ka deklaruar se Shqipëria është një komb i vogël me dy shtete, duke përfshirë edhe Kosovën.
Kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria po bën pjesën e saj në Këshillin e Sigurimit dhe po përfiton maksimalisht nga kjo mundësi.
“Dëgjoni, ne po bëjmë në mënyrë mjaft modeste pjesën tonë dhe po përfitojmë nga kjo mundësi për të shfrytëzuar maksimalisht të qenit anëtar të Këshillit të Sigurimit, por ne nuk jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi Shqipëria. Kështu që edhe pse jam shumë i gjatë, jemi shumë të vegjël për të imponuar ndonjë gjë apo për të udhëzuar botën drejt diçkaje. Ne thjeshtë besojmë që deri më tani ia kemi dalë të krijojmë sinergjinë e duhur me këto organizata shumë të mëdha, shumë më të mëdha se ne, siç thashë me “Future”, Google është futur në këtë aleancë që do të thoja është një start-up, është fillestare dhe me shprese dhe të tjerë do të bashkohen me ne. Çdo kush mund të sjellë jo vetëm paratë, donacionet por edhe njohuritë sepse Google mund të kontribuojë shumë për shembull, sa për t’ju dhënë një shembull me aspektin teknologjik. Dikush tjetër mund të kontribuojë shumë në aspektin e shpërndarjes dhe kështu me radhë, pra ngritja e një platforme ku të gjithë mund të kenë qasje, ku të gjithë mund të informohen, ku të gjithë mund të shohin në mënyrë transparente kush bën çfarë dhe sa është nevoja për të çuar diku dhe sa është nevoja për të shpenzuar në një vend tjetër. Është diçka shumë e mirë për të pasur diçka në nivel sistemi, që nuk është herë pas here e njëjta situatë ku ndërkohë që ndodh katastrofa e madhe të gjithë vrapojnë lartë e poshtë pa e ditur çfarë bëjnë të tjerët apo çfarë mund të bëjnë të tjerët”, tha Rama.
Kryeministri është ndalur më tej te ndihma e Shqipërisë për afganët, teksa shtoi se për herë të parë në historinë e KS u ngrit nga Shqipëria çështja e bashkërendimit dhe bashkëpunimit të mundshëm në një mënyrë më sistemore midis sektorit privat dhe sektorit publik për të ndërtuar një partneritet dhe aleancë humanitare.
“Unë besoj që nuk do të isha ftuar këtu në qoftëse nuk do të ishte për mënyrën sesi ne arritëm të jepnim ndihmë për afganët në atë moment kaosi, gjithashtu dhe për atë që po përpiqemi të bëjmë në Këshillin e Sigurimit ku Shqipëria është anëtare e përkohshme dhe ku, besojeni apo jo, për herë të parë në historinë e Këshillit të Sigurimit, u ngrit nga ne çështja e bashkërendimit dhe bashkëpunimit të mundshëm në një mënyrë më sistemore midis sektorit privat dhe sektorit publik për të ndërtuar një partneritet dhe aleancë humanitare”, tha Rama.
E themeluar në vitin 2005 nga Presidenti Bill Clinton, “Clinton Global Initiative” CGI mbledh liderë shtetesh nga mbarë bota, si dhe aktorë të rëndësishëm të fushave të ndryshme në një përpjekje të përbashkët për të hartuar dhe zbatuar zgjidhjet më të mira për sfidat emergjente me të cilat përballet sot globi, të cilat në takimin e këtij e vit u fokusuan në ndryshimin e klimës, rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse dhe barazinë shëndetësore.
Takimi 2023 u përqendrua në përpjekjet për të ruajtur dhe çuar përpara progresin e bërë në këtë drejtim, pavarësisht vështirësive që dalin, duke ndërmarrë angazhime konkrete për reagimin ndaj fatkeqësive, rimëkëmbjen dhe qëndrueshmërinë.