Instruktorët ushtarakë francezë në Ukrainë, Lavrov: Do jenë objektiv legjitim nga Rusia
Pas lejes së dhënë nga Kievi për trajnerë ushtarakë nga Franca me qëllim mbështetjen e trupave të saj, ka reaguar Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Ky i fundit u shpreh se çdo instruktor ushtarak francez në Ukrainë do të jetë një “objektiv legjitim” për forcat e armatosura ruse.
Lavrov i bëri këto komente në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm të Republikës së Kongos, Jean Claude Gakosso.
“Sa i përket instruktorëve francezë, unë mendoj se ata janë tashmë në territorin ukrainas. Pavarësisht statusit të tyre, zyrtarët ushtarakë ose mercenarët përfaqësojnë një objektiv legjitim për forcat tona të armatosura”, tha Lavrov.
Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se “instruktorët që trajnojnë trupat e regjimit të Kievit nuk kanë asnjë lloj imuniteti dhe nuk ka rëndësi nëse janë francezë apo jo”.
Komandanti i lartë i Ukrainës tha javën e kaluar se kishte nënshkruar dokumentet që lejonin instruktorët ushtarakë francezë të hynin në qendrat e trajnimit ukrainas së shpejti. Por presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha javën e kaluar se nuk do të komentonte “thashethemet apo vendimet që mund të merren”.
Lavrov hodhi poshtë gjithashtu konferencën e paqes në Ukrainë që do të mbahet këtë muaj në Zvicër, ku Rusia nuk është e ftuar.
“Kjo konferencë në Zvicër nuk ka asnjë kuptim. I vetmi kuptim që mund të ketë është të përpiqet të ruajë këtë bllok anti-rus, i cili është në proces të shkatërrimit”, tha ai.
Lavrov e ka vizituar kontinentin afrikan disa herë në vitet e fundit teksa Rusia kërkon të mbështesë në mes të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska. Një numër vendesh afrikane në vitet e fundit kanë shprehur zhgënjimin në rritje me partnerët e tyre tradicionalë perëndimorë si Franca dhe Shtetet e Bashkuara. Disa prej tyre në vend të kësaj i janë drejtuar Rusisë për të kërkuar ndihmë në luftimin e kryengritjeve islamike.