Integrimi në BE- Ekspertët mbyllin shqyrtimin e legjislacionit që do të negociohet
14 muaj pas çeljes së shqyrtimit të legjislacionit Shqipëri-BE instancat europiane dhe ato të vendit njoftuan përmbylljen me sukses të 6 grupkapitujve për të cilat Shqipëria do të bisedojë drejt anëtarësimit në BE.
Procesi i njohur në terminologjinë europiane si Screening, kërkoi 94 ditë takime, ku morën pjesë mbi 1000 zyrtarë të Komisionit Europian.
Ka qenë pikërisht drejtor i bisedimeve me Shqipërinë në Drejtorinë e Ballkanit të Komisionit Europian që duke njoftuar arritjen, ka ndarë vlerësimin e veçantë. “Vlerësim pozitiv i nivelit të përgatitjes, vizion i qartë në rrugën drejt anëtarësimit. Urime për këtë hap të parë në negociatat tuaja të pranimit”.
“14 muaj punë të përkushtuar. 70 takime shpjeguese dhe dypalëshe për shqyrtimin e legjislacionit europian. 777 prezantime nga më shumë se 1000 ekspertë shqiptarë”, reagoi edhe ambasadorja shqiptare në BE, Suela Janina.
Shifrat dhe volumi i punës në mbyllje të një procesi kaq të rëndësishëm dhe në pritje për të çelur bisedimet e kapitujve të parë, mund të perceprohen dhe nga një analizë e kohëzgjatjes për secilin grupkapitujsh.
Kështu, shqyrtimi më i gjatë i takon grupimit 3 për konkurueshmërinë dhe rritjen gjithpërfshirëse që ka zgjatur që nga shtatori i vitit të kaluar deri në qershor të këtij viti. Nga ana tjetër grupimi i shqyrtuar më shpejt është ai i marrëdhënieve me jashtë, vetëm dy muaj dhe i mbyllur pak ditë më parë.
Mbyllja e tij, vetëm pak ditë para marrjes së vendimit për çeljen e bisedimeve të kapitujve të parë, për procesin e të cilave Greqia ka ngritur pretendime komentuese në letrën e vendeve anëtare të BE-së, është një sinjal për vetë procesin që do të ishte impostuar mbi një kusht të mundshëm të fqinjit jugor të Shqipërisë që në shqyrtimin e kësaj hallke, pra marrëdhënieve me jashtë.