Integrimi në BE/ Në dhjetor shqyrtohet grupkapitulli i negociatave me Shqipërinë
Shqipëria shpreson të arrijë mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare me Bashkimin Europian. Publikimi i raportit të Komisionit Europian për Grupkapitullin i cili përveç arritjes në kohë si objektiv, ka bërë të mundur që, për herë të parë, në raportet vjetore të përparimit të vendit drejt BE-së, të hyjnë edhe objektivat e nevojshëm për të çelur një grupkapitull bisedimesh.
Axhenda aktuale e publikuar nga Bashkimi Europian parashikon që Shqipëria të hartojë deri në dhjetor udhërrëfyesin për grupkapitullin e parë, për të cilin vendet anëtare kanë nisur shqyrtimin.
Një vendim i kësaj natyre kërkohet sërish të jetë unanim.
Burime diplomatike të besueshme dhe nga administrata europiane i thanë Televizionit Publik se Shqipëria ka arsye të besojë arritjen e këtij objektivi të mundshëm vetëm me unanimitetin e të gjithë vendeve anëtare të BE-së.
Ndërsa ato e kanë nisur këtë shqyrtim, në klimën e një politike zgjerimi të cilësuar nga vetë aktorët e Bashkimit Europian, nuk janë evidentuar ende qëndrime penguese që do ta dështonin sprovën e parë të çeljes së bisedimeve konkrete të Shqipërisë.
Të njëjtat burime e konsiderojnë frymën e zgjerimit të shtrirë deri në Ukrainë, si momenti më i mirë për vendet e Ballkanit që aspirojnë anëtarësimin e arritshëm në BE.