Inteligjenca artificiale, Mertenika: Po sfumohet koncepti njeri. Ceno: Nuk do na zëvendësojë dot
Anketa që zhvilloi Barometri i Ballkanit tregon se 3% e bizneseve të anketuara në vendin tonë kanë pohuar se kanë zëvendësuar punonjësit me Inteligjencën Artificiale. Gjithashtu 3% e bizneseve në Kosovë dhe Malin e Zi i kanë zëvendësuar njerëzit me Inteligjencën Artificiale. Vitet e fundit, në presionin e mungesës së punonjësve, bizneset po nxiten të përdorin teknologjinë në të gjithë sektorët që nga bujqësia, industria dhe shërbimet.
Ermand Mertenika, specialist IT në një lidhje “Skype” me emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” u shpreh se inteligjenca artificiale po sfumon inteligjencën natyrale. Ai shtoi se, përpos këtij dominimi, inteligjenca artificiale nuk do të funksionojë dot kurrë në mënyrë autonome, por do të jetë gjithnjë varësi e inteligjencës natyrale.
“Po sfumohet koncepti njeri. Konkurrenca ndaj nesh do jetë shumë e madhe. Në USA krijuan robotin që luanin rolin e një programuesi që ata për pak minuta realizonin një website dhe për pak orë realizonin një software, ndërsa një programues i inteligjencës natyrale, duan orë për website dhe ditë për të realizuar software.
Një rëndësi tjetër është në botën e ekonomisë. Programet finaciare, të administrim biznesit po avancojnë shpejt., Në sektorin shëndetësor, krijohen sisteme robotike që kryejnë procese precize dhe zëvendësojnë kirurgun njerëzor. Do jetë ndërthurje mes dy inteligjencave, asaj natyrale dhe asaj artificiale. Inteligjenca artificiale po ndihmon që punët tona të bëhen më shpejt.
Sistemet robotike, industriale po bëjnë çudira. Ne e shohim më së miri dominimin e inteligjencës artificiale. Ajo që më frikëson mua, do jetë sfumimi i inteligjencës natyrale.
Asnjëherë inteligjenca artificiale nuk funksionon në mënyrë autonome, por do jetë gjithnjë varësi e jona”, deklaroi specialisti.
Për ekspertin e ekonomisë, Enriko Ceko deklaroi se robotika nuk do të mundet dot kurrë të zëvendësojë njeriun, pasi nuk ka krijueshmëri, inovacion dhe emocion.
“Digjitalizim është procesi i transformimit të informacionit tradicionale në informacion që ruhet në formë digjitale.
Nga digjitalizimi kemi kaluar te inteligjenca artificiale, fushë e shkencave kompjuterike e cila përpiqet të bëjë makinën të arsyetojë, të mësojë, të njohë gjuhën njerëzore dhe të njohë imazhet. Mbi bazën e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale është ndërtuar robotika.
Të ndërtojmë robot që kanë memorie digjitale, aftësi për të mësuar dhe arsyetuar për të bërë punën që bën njeriu.
Nuk mendoj se bota do përmbyset nga pjesa e inteligjencës artificiale sepse ka dallim të madh nga njeriu te roboti. Njeriu e bën punën me krijueshmëri, inovacion dhe emocion. Roboti kurrë s’ka për të patur krijueshmëri, inovacion dhe emocion”, deklaroi Ceno.