Interes për arsimin profesional, Zeneli: Dega më e preferuar mbetet ajo e Hoteleri-Turizëm
Prej të paktën 5 vitesh në vendin tonë shkollat profesionale kanë tërhequr interesin e të rinjve për të qenë pjesë e tyre dhe më e rëndësishmja është integrimi i shpejtë në tregun e punës. Në shkollën e Mesme Profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër vazhdojnë aplikimet për regjistrime në klasat e dhjeta, ndërsa drejtuesja e shkollës Merita Zeneli thotë se edhe për këtë vit ka interes të madh për të ndjekur arsimin profesional, në mënyrë të veçantë drejtimin hoteleri-turizëm.
Risi këtë vit është krijimi i Arsimit Profesional Dual, i cili krijon mundësi që nxënësit ta bëjnë shkollën në mjedisin e punës.
Shkolla e mesme profesionale “Hamdi Bushati” ofron studime në tri drejtime kryesore, ekonomi-biznes, hoteleri-turizëm dhe tekstil-konfeksion. Ajo dallon për infrastrukturën e mirë me klasat dhe laboratorët e saj me kushte bashkëkohore.