Interpoli arreston shkodranin në kërkim / Pritet ektradimi nga Belgjika, në korrik 2023 kërcënoi me armë një shtetas
Policia e Shtetit bën me dije se është kapur në Belgjikë 30-vjeçari nga Shkodra, Mark Preka, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.Ai është kapur pas bashkëpunimit me Interpol Brukselin. Ndaj 30-vjeçarit, Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak” dhe “Prishja e qetësisë publike”.Në muajin korrik të vitit të kaluar, pas një konflikti me shtetasin A. Gj., ai e ka kanosur atë, në ambientet e një restoranti, me armë zjarri kallashnikov.Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës ka parandaluar përshkallëzimin e konfliktit midis këtyre dy shtetasve. Gjatë ndjekjes nga Policia, Mark Preka ka hedhur armën e zjarrit dhe është larguar. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për 4 shtetas për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, të gjithë banues në fshatin Barbullush, pasi kanë tentuar të fshehin armën e zjarrit që mbante shtetasi Mark Preka. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.