Interpoli arreston të riun nga Shkodra, në 2012 plagosi dy vëllëzër në tentativë për të grabitur argjendarinë
Një 35-vjeçar, me origjinë nga Shkodra, është arrestuar pas 12 vitesh në Spanjë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në vitin 2012, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar të grabisë një argjendari në Shkodër ku vëllezërit Mithat dhe Ruzhdi Caku pronarë të argjendarisë.Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar pas rifillimit të hetimeve nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës.
Bazuar në këto hetime, në muajin shkurt 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar shtetasit E. H., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga strukturat e DVP Shkodër mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, 35 vjeçari është kapur në Spanjë dhe është arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.