Përpara largimit nga Shqipëria Ambasadori britanik Alastair King Smith dha një intervistë për gazetaren e Radio Televizionin Shqiptar, Sonila Agostini gjatë të cilës iu përgjigj disa pyetjeve për ndryshimet e fundit në qeveri, për zgjedhjen e kryetares së re të Parlamentit, për politikanët shqiptare dhe zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025.
Ambasadori britanik dha një mesazh për gjyqtarët dhe prokurorët që janë pjesë e Reformës në Drejtësi dhe një mesazh të posaçëm për popullin shqiptar.
Duke marrë shkas nga historia e Shqipërisë pas vitit 1990, ambasadori Alastair King Smith jep një koment për Shqipërinë e shekullit të 21-të, duke bërë edhe një vlerësim realist për marrëdhëniet mes vendit tonë dhe Britanisë së Madhe.
Diplomati i Mbretërisë së Bashkuar beson tek fuqia e të rinjve në Shqipëri, të cilët i sheh si motorin e përparimit të këtij vendi edhe në aleancë me partnerë si Britania dhe shtete të tjera evropiane.
Duke vlerësuar lulëzimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Britanisë gjate tre viteve të fundit, diplomati i lartë shpreson që ritmi i marrëdhënieve mes dy vendeve tona të përparojë edhe me tej.
Më poshtë intervista e plotë:
Faleminderit z. Ambasador. Faleminderit që zgjodhët Radio Televizioni Shqiptar për të dhënë intervistën tuaj të Lamtumirës përpara largimit nga Shqipëria.
Sonila është kënaqësi e madhe të jem me ju, t’ju takoj përsëri dhe të kem këtë intervistë me ju përpara mbylljes së detyrës sime javën që vjen.
Po e nis menjëherë me zhvillimet kryesore politike të vendit sepse Shqipëria siç e pamë gjatë ditëve të fundit ka një kabinet të ri qeveritar me ndryshimet që kryeministri propozoi në Parlament. Po kështu kemi dhe një kryetare të re të Parlamentit. A keni një koment z. Ambasador për ndryshimet që ndodhën në Shqipëri?
Patjetër, Kryeministri Rama theksoi se ndryshimet në qeveri kanë për qëllim të ndihmojnë Shqipërinë të përgatitet për Agjendën 2030 dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian. Normalisht, Mbretëria e Bashkuar ka pasur marrëdhënie shumë të mira me të gjithë Qeverinë, me ministrat gjatë periudhës në të cilën unë kam qenë në detyrë, dhe me ata më parë. Jam pra i sigurt që dinamika do të jetë po ashtu pozitive edhe me ministrat e rinj!
Kam dhe një pyetje që i takon këtyre ndryshmeve sepse kemi në krye të Parlamentit një zonë që zëvendëson ish-kryetaren që ishte. A keni një mesazh për kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë meqenëse Parlamenti është një institucion i rëndësishëm për sfidat që duhet përballë Shqipëria në rrugën e saj të anëtarësimit në Bashkimit Evropian?
Dy Kryeministrat tanë ranë dakord gjatë takimit të tyre në kuadër të Komunitetit Politik Evropian në Mbretërinë e Bashkuar që MB-ja dhe Shqipëria duhet të kenë partneritet strategjik, dhe normalisht kjo lidhet me pjesën e ekzekutivit, por vijimësia e punës që po bëjmë me Kuvendin është gjithashtu e rëndësishme. Kryetarja, siç edhe ju thatë ka rol shumë të rëndësishëm në udhëheqjen e proceseve parlamentare në Shqipëri, procedurave legjislative që shelling si rezultat një legjislacion më të mirë. Doemos, nga këndvështrimi i Mbretërisë së Bashkuar, ne kemi mbështetur gjithmonë funksionimin e plotë të Kuvendit Shqiptar. Dëshirojmë që kjo të vijojë, duam të sigurohemi se Shqipëria vijon të zhvillojë proceset parlamentare, por edhe demokracinë në përgjithësi. Këto janë shumë të rëndësishme, sepse legjislacioni, kërkesa për llogaridhënie për qeverinë, në Kuvend janë pjesë që mundësojnë demokracinë, sigurojnë që qeveria punon për qytetarët. Ky është synimi përfundimtar dhe do të jetë pjesë e rëndësishme e mandatit të Kryetares së re. Patjetër që i uroj fat në punën e saj!
Kur e shikoni politikën shqiptare gjatë tre viteve të mandatit tuaj keni menduar të bëni ndonjëherë të bëni ndonjë krahasim si e gjetët e si po e lini.
Sepse në këto 3 vite kanë ndodhur shumë ngjarje. Cilësimi “non grata” i z. Berisha nuk ka ndryshuar ndërkohë që ai është kryetari legjitim i partisë më të madhe të opozitës dhe sigurisht dominon pjesën e vetë të simpatizantëve. Po kështu edhe në qeverinë e z. Rama kanë ndodhur shumë ngjarje dhe z. Rama është përpjekur të jetë dominues në mënyrën e tij. A keni një mesazh për politikanët shqiptarë kur e bëni këtë krahasim me veten tuaj për politikën shqiptare tani që po largoheni?
Këto janë kohë kritike për politikën në Shqipëri, por edhe në mbarë Evropën, dhe faktikisht tani kemi nevojë që udhëheqësit politikë të na ndihmojnë të tejkalojmë sfidat ndërkombëtare që ndodhen përballë nesh por edhe ato brenda vendit, duke e bërë këtë moment me rëndësi për llogaridhënien parlamentare. Këtë e them edhe në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme. Është e rëndësishme që ato të jenë të lira dhe të drejta. Besoj se keni dëgjuar më parë të them në periudhën para zgjedhjeve të mëparshme, se është e rëndësishme që partitë të zgjedhin kandidatë që nuk janë të përfshirë në korrupsion dhe kriminalitet dhe ky do të vijojë të jetë mesazhi ynë. Pra, edhe njëherë duhet të sigurohemi që politikanët të gjejnë mënyra për të punuar në interes të qytetarëve dhe të arrijnë rezultate për ta.
Dua të ndalem te mandati juaj si ambasador. Gjithkush kur mbyll një mandat të caktuar bën dhe një bilanc të asaj që ka arritur. Ju çfarë arritët z. Ambasador në këto tre vite të mandatit tuaj si Diplomati i Britanisë së Madhe në Shqipëri?
Më lejoni të theksoj tre gjëra.
E para ka të bëjë me emigracionin, sepse sa herë që vendet mike përballen me sfida, duhet t’i përballim ato së bashku. Jam realisht krenar me mënyrën si u përballëm me këtë sfidë dhe situatë shumë të vështirë. Në një moment patëm 12.000 të rinj shqiptarë që shkuan në MB ilegalisht. Jam shumë i lumtur që përmes përpjekjeve tona të përbashkëta kemi arritur t’i ulim shumë këto shifra. Vitin e shkuar shifra ishte 1000 vetë dhe këtë vit është më pak se 150 vetë. Por nuk është vetëm kjo pikë. Ne kemi një Task Forcë të Përbashkët për Emigracionin, që bashkon partnerët tanë në fushën e zbatimit të ligjit. Tani, kthimet e personave që kanë vajtur në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar kanë arritur në 8500 vetë. Kështu bashkëpunimi në fushën e zbatimit të ligjit po funksionon dhe gjithnjë e më shumë operacione po zbatohen së bashku, çka është shumë e rëndësishme. Por vetëm puna me zbatimin e ligjit nuk ndryshon çdo gjë. Për këtë arsye jam i lumtur që kemi zgjeruar më tej qasjen tonë dhe që Komunikata e Përbashkët që farkëtuam në vitin 2022 vijon të jetë në themel të marrëdhënies sonë, të cilët, Kryeministrat tanë duan ta shohin si partneritet strategjik, dhe besoj se aspekti i emigracionit na ka ndihmuar të krijojmë partneritet të gjerë. Kjo është e para.
Elementi i dytë janë investimet në veri të vendit. Të gjithë e dimë që shumë pjesë të veriut nuk kanë parë investime për periudha të gjata në historinë e Shqipërisë, dhe tani është moment shumë i përshtatshëm për të investuar jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por për të gjithë. Jam realisht i lumtur që brenda një periudhe të shkurtër patëm mundësi që përmes programeve tona të sjellim punë, aftësi dhe mundësi të reja për të rinjtë, të cilat u mundësojnë atyre të qëndrojnë në zonat e tyre në veri dhe të kenë mundësi të tjera për të ardhmen. Por nuk jemi vetëm ne. Jam me të vërtetë i kënaqur që përmes ngritjes së Dhomës Britanike te Tregtise që u inaugurua vitin e kaluar, shume shpejt ata sollën me te mirën e bizneseve britanike dhe mbështetjen britanike nga sektori privat, në mbështetje të të rinjve. Për shembull, ata po ofrojnë më shumë se 70 bursa këtë vit për të rinj nga veriu, për studime në universitetet shqiptare, ndërkohë që vjet numri i tyre ishte vetëm 20, dhe do të ketë më shumë investime të tilla. Ata po ndihmojnë edhe me alternativa për karrierë dhe këshillim, duke ofruar mbështetje për nismat në veri, dhe mendoj se ky është partneriteti i duhur ndërmjet qeverive tona me sektorin privat, normalisht përmes qeverisë kombëtare dhe agjencive dhe partnerëve të saj. Kjo ishte e dyta, pra investimi në veri.
E treta ka të bëjë me drejtësinë. Besoj jeni në dijeni që kemi nisur një partneritet të ri gjyqësor, megjithëse për vite me rrallë kemi siguruar mbështetje të fuqishme për shtetin e së drejtës. Sa i përket partneritetit të ri, jam shumë i lumtur me shkëmbimet ndërmjet sistemeve tona gjyqësore dhe prokurorëve, dhe duket qartë që ky pushtet do të ketë mbështetjen më të mirë nga Mbretëria e Bashkuar në të ardhmen. Doja të shtoja ama se asnjë prej këtyre arritjeve nuk do të ishte e mundur nëse nuk do i ishim qasur problemeve përmes partneritetit. Ky ka qenë parimi im gjatë këtyre tre viteve këtu, dhe shpresoj që ky parim të qëndrojë gjatë pas meje.
Duhet të them se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe kanë qenë për një kohë të gjatë shumë të fjetura. A mos ishte lufta kundër emigracionit të paligjshëm ai ngacmimi që i lulëzoi sot këto marrëdhënie?
A mund të flasim sot për marrëdhënie më të mira, më të qenësishme, më prezentë me Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. A ishte ky fenomen ilegal që ju ngacmoi?
Është pyetje me vend, sepse patjetër emigracioni ishte sfidë e madhe dhe i ka dhënë, mendoj unë, një nxitje përqendrimit tonë. Por ishte edhe momenti pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian. Në këtë moment ishim të qartë që donim marrëdhënie më të forta me partnerë si Shqipëria që mund të mos jenë në BE, por që janë shumë miqësorë dhe me të cilët kemi partneritet shumë të mirë. Gjithashtu besoj se në kontekstin botëror të luftës në Ukrainë dhe agresionit rus atje, ishte shumë e natyrshme që partnerë si Shqipëria dhe MB-ja, që janë partnerë me të njëjtat ide e parime, të qëndronin së bashku. Por, keni shumë të drejtë që migracioni na ofroi një mundësi të vërtetë për të shtuar bashkëpunimin dhe për të konsideruar të gjitha mundësitë e investimit si në tregti dhe ekonomi, apo në arsim dhe kulturë, drejtësi, mbrojtje apo fushën e sigurisë. Patëm mundësi të krijojmë partneritet të shtrirë gjerësisht. Dhe jam shumë i lumtur që tani partneriteti ynë është bërë model për të tjerë. Shpresoj që këto fusha të jenë themele të forta për shkëmbime në të ardhmen që sjellin rezultat për qytetarët shqiptarë dhe ata britanikë.
Megjithatë ju rreshtuat 3 pika që mendoni se kishit arritje në mandatin tuaj si Ambasador. A mendoni se keni diçka që nuk e keni bërë, ose që ju mundon, po ikni nga Shqipëria dhe nuk iu dha mundësia për ta realizuar?
Jam shumë i kënaqur me sa kemi arritur, dhe kemi arritur plot. Jam veçanërisht i kënaqur që partneritetin tonë të fuqishëm kemi pasur mundësi ta përkthejmë në miqësi të vërtetë. Normalisht, ka gjithmonë punë për më tej. Në periudhën në vijim do të përqendrohemi shumë më tepër tek rritja ekonomike. Kryeministri im ka folur për rëndësinë e rritjes ekonomike si në MB por edhe ndërkombëtarisht, dhe partneriteti ekonomik do të jetë shumë i rëndësishëm. Kemi 4 miliarde Paund të Financimit Britanik për Eksport në dispozicion të Shqipërisë, që shpresojmë të ndihmojnë në zhvillimin e më shumë projekteve infrastrukturore. Ka pasur interes në këtë fushë, interes në hekurudha, në energjinë e rinovueshme dhe infrastrukturë, por këto nuk janë përkthyer ende në veprimtari nga bizneset britanike. Do doja të kisha parë më shumë zhvillim në këtë kuadër dhe besoj është fushë që ka nevojë për vëmendje.
Fusha e dytë është përparësia e re për qeverinë tonë, ose më mirë e rifreskuar, dhe ka të bëjë me klimën dhe natyrën. Edhe në këtë rast besoj se Shqipëria i është qasur mirë tranzicionit të gjelbër, sepse e dini që ka shumë shembuj realisht pozitivë lidhur me energjinë hidrike dhe fusha të tjera, dhe besoj se tek ne do të gjeni bashkëpunëtor shumë të mirë në këtë fushë.
Dhe së treti, arsimi është fushë ku kemi fokus të rëndësishëm. Në këtë fushë kemi nisur punën me disa partneritete në nivel universitar, por besoj se mund të arrijmë shumë më tepër.
A është kjo një fazë e re që dy popujt ta njohin ndryshe njëri-tjetrin pa stereotipet e krijuara se shqiptarët në Britani janë vetëm djemtë e “shtëpive të barit” apo njerëzit që ikin me emigracion të paligjshëm? A është koha që mbase më shumë britanikë të vijnë në Shqipëri për të shfrytëzuar natyrën e bukur të saj në turizëm?
Është pyetje me vend, sepse kemi parë rritje shumë të madhe të shkëmbimeve mes njerëzve. Lidhur me turizmin pritet që mbase 400.000 deri thuajse gjysmë milioni britanikë të vijnë në Shqipëri këtë vit, që është thuajse dyfishi i shifrës së vjetshme që është rritje e madhe. Siç edhe thatë kemi shumë shqiptarë në MB, qytetarë britaniko-shqiptarë që tani janë qytetarë britanikë, të cilët po japin kontribut realisht pozitiv për ekonominë dhe shoqërinë e MB-së, çka mendoj se do të hedhë themele shumë të rëndësishme për të ardhmen, Po, ka edhe sfida, ju përmendët veprimtarinë kriminale dhe të tjera, dhe patjetër duhet të përqendrohemi tek to. Megjithatë unë besoj se siç thatë ju, kemi një mundësi të vërtetë për zgjeruar shkëmbimin dhe të përdorim lidhjet e reja që po krijohen çdo dite. Faktikisht në frontin ekonomik sot do të nënshkruaj një Memorandum Mirëkuptimi për ekonomikë krijuese dhe jam vërtetë i lumtur që do të mbështesim të rinjtë e talentuar këtu në arte apo krijues të tjerë duke i ofruar më shumë platforma për t’i treguar botës talentin e tyre, sepse një gjë që e kam vlerësuar gjatë pranisë sime në mbarë Shqipërinë është talenti i pranishëm. Nëse ne pra mund të ndihmojmë në shkyçjen dhe shfrytëzimin e tij për lidhjen e mëtejshme të njerëzve, besoj se mund të arrijmë rezultate pozitive. Jam dakord me ju që lidhjet MB-Shqipëri përmes njerëzve, do të jenë shumë të rëndësishme.
A mbeten sfidat e vetme të Shqipërisë zbatimi i reformës në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit në këtë vend?
Besoj se në periudhën në vijim do të duhet të trajtohen një sërë çështjesh. Shqipëria është në rrugëtim pozitiv, por besoj se ka njerëz në Shqipëri që nuk e ndjejnë shumë këtë. Një nga gjërat që më pëlqen këtu janë aspiratat dhe ambicia e njerëzve, por besoj se ndonjëherë të rinjtë nuk arrijnë të shohin të gjitha ndryshimet që po ndodhin madje shpejt. Nëse shohim pak historinë, komunizmi ra vetëm në vitin ’91, pastaj patët situatën e viteve ’97 dhe ’99 me skemat piramidale dhe rënien e tyre, dhe luftën në Kosovë. Pra, Shqipëria i është futur këtij rrugëtimi pozitive vetëm në vitin 2000 dhe është e kuptueshme që ka ende sfida me shtetin e së drejtës, korrupsionin dhe kriminalitetin, por ka shumë besim në sistemin e drejtësisë, sepse tani ai është në rrugë të drejtë. Jam shumë i kënaqur me ndërveprimin që unë kam pasur me ta, por edhe atë të gjyqtarëve të lartë nga MB-ja me gjyqtarët tuaj dhe prokurorët tuaj të lartë, dhe me faktin që ata janë të bindur se duhet të zhvillojnë më tej bashkëpunimin. Pa dyshim që do të duhet kohë që ndikimi i plotë i drejtësisë të ndihet nga të gjithë qytetarët, por besoj se po afron. Dhe këtë e konsiderojmë pjesë të ndryshimit! Pra, shpresa ime e vërtetë është qëndrueshmëria e përkushtimit, sepse kur ka shtet të së drejtës investitorët e huaj duan të investojnë, të rinjtë kanë më shumë besim tek e ardhmja, dhe qytetarët e thjeshtë mund të mbrojnë të drejtat e tyre. Kjo pra është element i rëndësishëm i të ardhmes.
Keni inkurajuar shqiptarët të mbrojnë të drejtat e tyre, të japin më shumë kontribut për vendin e tyre dhe ta shohin të mirën në Shqipëri dhe jo në mënyrë ilegale në vende të tjera. Në këndvështrimin tuaj, pas tre vitesh para se të largoheni nga Shqipëria, është më mirë Shqipëria se ç’ishte tre vite më parë? Si e vizatoni ju sot Shqipërinë?
Unë erdha gjatë Covid-it dhe po bëja kursin e gjuhës në Shkodër për të mësuar shqip dhe faktikisht u ndjeva i çliruar. Po vija në Shqipëri dhe në atë periudhë situata këtu ishte shumë më e mirë se sa në MB, kështu që u ndjeva shumë mirë që në fillim. Por siç thoni me të drejtë, kam qenë në mbarë vendin dhe kam mësuar shumë për diversitetin dhe kulturën e zonave të ndryshme të Shqipërisë. Është shumë mirë që njerëzit kërkojnë plazhet e Shqipërisë, sepse ato janë shumë të bukura dhe prandaj shohim edhe kaq shumë turistë të vijnë. Por, faktikisht zonat malore janë fantastike dhe ka shumë potencial në to që nuk është prekur ende. Unë besoj se Shqipëria në fakt ka shumë mundësi që të jetë një vend i vizituar, por që edhe të zhvillohet realisht, dhe shqiptarët janë të uritur për lidhje me botën dhe të jenë pjesë e të ardhmes moderne të Evropës. Besoj se Shqipëria ka potencial të madh për të ardhmen dhe për mua personalisht ishte kënaqësi të jetoja këtu për shkak të miqësisë, mikpritjes që të gjithë ne përjetojmë kur udhëtojmë, çka na shtyn të japim më shumë kontribut. Një nga gjërat që unë shpresoj dhe që realisht e ndjej, është se jam realisht mik dhe shpresoj të kem ndihmuar që MB-ja të jetë mike e Shqipërisë dhe të jetë krah jush në të ardhmen.
A keni një mesazh për popullin shqiptar përpara se të largoheni nga vendi ynë?
E para është miqësia. Faleminderit për miqësinë që ju dhe i gjithë populli juaj më ka treguar. Ka qenë kënaqësi e vërtetë. Jo kudo mund të kalosh kaq mirë, dhe të kalosh mirë si shoqërisht, si zyrtarisht. Dhe jo kudo mund t’i zgjidhësh sfidat që has në mënyrë shumë të sjellshme, me mënyrën shqiptare. E vlerësoj realisht këtë miqësi. Unë dua të marr gjithçka pozitive nga të gjitha përvojat e mia në Shqipëri dhe besoj se ka gjëra që mund t’i mësohen edhe vendeve të tjera për mënyrën e veprimit të cilat i kam parë gjatë këtyre tre viteve dhe që do i marr me vete. Do të reflektoj për këto aspekte dhe të zhvilloj mbi to, por gjithashtu dua të jem mbështetës i Shqipërisë përgjithmonë, sepse vërtetë jam kënaqur këto tre vite këtu. Do të më shihni së shpejti përsëri kur të kthehem shumë shpejt me familjen për pushime, sepse vërtet kënaqem këtu. Ishte gezim per mua të isha pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë, por siç thashë shpresoj të kem mundësi të luaj një rol sado të vogël në mbështetje dhe si përkrahës i Shqipërisë në të ardhmen.
Pas përfundimit të ndeshjeve të grupeve të UEFA Nations League, janë ndarë vazot për shortin…
“Libra të një kohe tjetër” është ekspozita me karakter historik, organizuar nga Biblioteka “Marin Barleti”…
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka zhvilluar një takim me strukturat…
Xhubleta, kjo veshje që dikur shtrihej në pellgun e Mesdheut, sot ndodhet e ruajtur dhe…
Qendra muzeore “Ndre Mjeda” në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Shoqërore të UNISHK, Bashkinë Vau-Dejës…
Mungesa e energjisë elektrike në fshatrat e njësisë administrative të Dajçit në bashkinë e Shkodrës…
This website uses cookies.