Investigimi në Rai 3, Bardhi kërkon interpelancë me Ramën
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, lidhur me investigimin e transmetuar në median italian, Rai 3.
Në kërkesën e depozituar, Bardhi akuzon kryeministrin Rama për ndërhyrje në median italiane, teksa kërkon nga kreu i qeverisë shpjegime lidhur me këtë dhe po ashtu edhe për akuzat e ngritura në emisionin italian.
“Në këto kushte, me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me shqetësimet e paraqitura në përmbajtje të investigimit të emisionit “Report”, në televizionin italian RAI 3, si dhe ndërhyrjen tek drejtuesit e këtij televizioni lidhur me këtë investigim nga ana e Kryeministrit Edi Rama, kërkojmë zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama”, thuhet në shkresën e firmosur nga Bardhi.
Emisioni Report në Rai 3 ka publikuar një investigim për marrëveshjen e emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë. Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke hedhur poshtë akuzat e ngritura. Në një postim në X (dikur Twitter) këtë të enjte (25 prill), Rama akuzoi moderatorin e emisionit, Sigfrido Ranuçi, për shpifje.