Investime për turizmin në Lezhë, Ndreu: Ndërhyrje në ujësjellës dhe infrastrukturë
Rajoni i Lezhës u vizitua nga rreth 1.3 milion turistë gjatë sezonit veror, ku fokusi kryesor ka qenë te turizmi bregdetar në Shëngjin dhe Tale. Të dhënat janë bërë publike nga Bashkia Lezhë e cila e konsideron sezonin turistik të këtij vitit, si mjaft të suksesshëm.
Kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu, thotë se në zonat turistike do të nisin një sërë investimesh, siç është Ujësjellësi i Shëngjinit, kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, e më pas do të vijohet me rehabilitimin e infrastrukturës mbitokësore.
“Duhet të investohet në disa gjëra, e para me ujin e pijshëm. Po presim që këtë vit të hapim punën për adresimin e problemit të kanalit të ujërave të zeza dhe të bardha në Lezhë. Po ashtu të gjitha rrugët e brendshme të Lezhës, është një projekt në tavolinë dhe me buxhetin që vjen do të adresohet”, tha Ndreu.
Pjesë e investimeve do të jetë edhe zona e Tales ku do të ndërtohet rruga Rrilë-Hidrovorë e cila do t‘i shërbejë aksesueshmërisë në bregdet.
“Me fondin Kombëtar të Zhvillimit, do të nisim me rrugën Rrilë-Hidrovorë në Tale që t’i japë një tjetër akses të zonës turistike”, shtoi ai.
Numri i turisteve në Lezhë po vjen gjithnjë në rritje, ndaj dhe investimet në këtë sektor shihen si domosdoshmëri për krijimin e lehtësirave dhe shmangien e problematikave.