Investimet në Shqipëri/ Rama takohet në Nju Jork me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe
Gjatë qëndrimit në Nju Jork ku do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Rama është takuar me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në këtë takim, Rama bën të ditur se me Sheikun Abdullah Bin Zajed Bin Sultan Al Nahyan është diskutuar për finalizimin e paketës së investimeve në Shqipëri, si edhe për vizitën në Tiranë të Presidentit të EBA, Sheikh Mohamed Bin Zayed Al Nayan, e para e këtij niveli në Shqipëri.
“New York – Me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, mikun e çmuar Sheikh Abdullah Bin Zayed Bin Sultan Al Nahyan, folëm për finalizimin e paketës së investimeve në Shqipëri, si edhe për vizitën në Tiranë të Presidentit të EBA, Sheikh Mohamed Bin Zayed Al Nayan, e para e këtij niveli në vendin tonë”, shkruan Rama.
Ndërkaq, më herët Rama pati një takim me ministrin e Jashtëm britanik, Xhejms Kleverli (o. James Cleverly).
Dy shtetet, Shqipëria dhe Britania e Madhe, një vit më parë nënshkruan marrëveshje për të trajtuar fluksin e emigracionit të paligjshëm drejt brigjeve angleze, por në SHBA, Kleverli ndodhet me një politikë të jashtme të qartë.
Mediet britanike raportojnë se një nga synimet e prezencës së tij do të jetë rritja e aksesit në fondet për qëllime klimatike, të cilat Britania kërkon t’i shtojë në interes të objektivit të OKB-së për zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve.
Sekretari i jashtëm britanik pritet t’i drejtohet Asamblesë edhe për çështjen e sistemit financiar global më gjithëpërfshirës.